Lajme të tjera

Lajme të tjera »

19 Nëntor 2015

WED Kosova

Znj Elia Zaharia ishte e ftuar te mbante nje fjale pershendetese ne konferencen e Woman's Enterpreneurship Day Kosova. Kjo konference u zhvillua ne qytetin e Gjakoves ku pati nje pjesemarrje aktive te shume personaliteteve te politikes, biznesit, artit dhe perfaqesues te organizatave dhe ambasadave te vendeve mike.

WED Kosova

Përshëndetje të nderuar pjesëmarrës, të nderuara zonja që vini për të rrëfyer eksperiencën tuaj jetësore, profesionale dhe frytdhënëse në shoqërinë ku jetojmë.

Është kënaqësi dhe privilegj për mua të përshëndes këtë organizim dinjitoz që ka në fokus gruan. Ndihem e lumtur që munda tju bashkangjitem dhe të ndaj me ju një pjesë të rëndësishme në historinë e rolit të gruas në Familjen Mbretërore, si edhe angazhimin tim nëpërmjet Fondacionit që drejtoj.

Mendoj se vlen te ndalem në një rrugëtim qe daton thellë në histori, ku roli që gruaja ka luajtur ka qënë primar që në krye të herës.

Mbreti Zog, mbetur jetim nga babai në moshë të njomë, u rrit nga nëna e tij Sadije Toptani. Kjo zonjë e hekurt, e mëncur dhe kurajoze, drejtoi me dinjitet jo vetëm familjen e saj, por të gjithë krahinën e Matit.

Ashtu sic i ka hije një dere të madhe, ajo i edukoi fëmijët me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj kombit, atdhedashurisë dhe kurajos. Me këtë frymë ajo lindi dhe rriti një Mbret, duke u bëre këshillëtarja e tij më me ndikueshmeri, më e besuar dhe e afërt në ato kohë të trazuara të një pavarësie të brishtë. Meritë e pamohueshme e saj ishte edhe ngritja e institutit femëror 'Nëna Mbretëreshë' nga i cili kane dalë kuadro mjaft në zë për kohën.

Më tej në historinë e kësaj familjeje evidentohet roli i motrave të Mbretit. Gjatë atyre viteve princeshat luajtën një rol thelbësor në emancipimin e gruas duke u bërë ambasadore të kulturës europiane në një vend ku sapo kishte filluar një bashkëjetesë mes orientit dhe oksidentit. Princeshat u bënë pasqyrimi i vizionit që Mbretëria Shqiptare kishte për gruan. Ato u angazhuan me detyra të rëndësishme, si në drejtimin e Kryqit të Kuq, në arsim dhe të drejtat e gruas, në kulturë dhe sporte.

Në vitin 1938 Mbreti u kurorëzua në martesë me konteshën hungareze, Geraldine Apponyi. Gjatë vitit të mbretërimit ajo mori një rol mjaft aktiv në shoqëri, duke kontribuar në kompleksin spitalor në Tiranë, që sot njihet si QSUT, në ngritjen e Kishës Katolike, në ndihmë të maternitetit që sot mban emrin e saj, e shumë e shumë veprave të tjera.

Diktatura e egër komuniste hodhi baltë mbi cdo figurë që kontriboi në krijimin e shtetit modern shqiptar, por Mbretëreshën Geraldinë nuk e përgojuan kurrë. Figura e saj mbeti e pastër qelibar edhe në atë përbaltje gjysëm shekullore.

Mbretëresha Suzanë gjithashtu u përkushtua në veprimtari humanitare, nëpërmjet Fondacionit të Familjes Mbretërore.

Njerëzit që kanë patur fatin të njohin nga afër Mbretëreshën Geraldine dhe Mbretëreshën Suzanë, më thonë se ato ishin zonja të jashtëzakonshme. Më thonë se nuk është e thjeshtë të vish pas tyre, në shembullin e përkushtimit dhe angazhimit.
Për mua, të gjitha këto zonja, janë frymëzim udhërrëfyes në rrugëtimin tim.
Mendoj se secili prej nesh vjen me një mision. Do ishte shumë e trishtueshme mos ti jepnim një qëllim ekzistencës sonë. Paçka se koha në të cilën jetojmë ka kufizimet e veta, padrejtësisht jemi të ndarë në disa republika, mendoj se kjo nuk ka përse të bëhet pengesë në angazhimin e Familjes Mbretërore në shoqërinë shqiptare. Perkundrazi!

Unë dhe Princ Leka, prej kohësh tashmë, punojmë për Fondacionin Mbretëresha Geraldine. Në bord të këtij Fondacioni kemi zgjedhur vetëm zonja, pasi kemi besim absolut në fuqinë krijuese të gruas. Epiqendra e vëmendjes sonë janë shkollat dhe spitalet. Ne i falenderohemi Zotit cdo ditë për mundësinë që na ka dhënë për ti ardhur në ndihmë komuniteteve në nevojë.

Falë angazhimit tim në Fondacion, kam patur rast të udhëtoj shumë në Shqipëri, në zona të thella dhe të harruara. Realiteti shqiptar është shpesh herë therës.
Fatkeqësisht, në këto zona të vendit tonë, gruaja mbetet e izoluar. Shpesh mentalitetet ndikojnë dhe e stimulojnë këtë izolim, këtë varësi psikologjike dhe ekonomike të saj.
Fenomeni i dhunës ndaj gruas është gjithashtu një realitet që dëshmon dobësinë e hallkave të familjes dhe shoqërisë.
Mendoj sinqerisht se në shoqërinë e sotme, gruaja shqiptare ka akoma shumë për të thënë. Roli i saj nuk mund të jetë më vetëm në prapavijë.
Shembujt e panumërt të sukseseve të tyre, tregojnë një potencial të pakufizuar dhe është e domosdoshme që zëri i tyre të dëgjohet.
Nëna ime, aktorja Yllka Mujo, ka vënë emër në artin shqiptar. Por jeta e saj nuk ka qënë kurrë e lehtë! E vetme rriti dy fëmijë në një kohë kur divorci shihej si sakrilegj. E megjithatë, mami na ushqeu me kurajo dhe dashuri, duke u bërë model dhe frymëzim, duke u bërë forca jonë.
Modeli i parë i një vajze është nëna. Kudo që kjo nënë të jetë, në cfarëdo lloj rrethanash dhe kushtesh, është misioni i saj të jetë frymëzim lirie dhe nxitëse e ëndrave për fëmijët.

Ëndra ime në fëmijëri, sikurse jam e bindur edhe e shumë vajzave të vogla, ishte të bëhesha princeshë. Atëherë mendoja se princeshat ishin të rrethuara me fustane mbrëmjesh, vallëzime, kurora dhe gjerdanë. Mendoja se ato nuk kishin asnjë angazhim tjetër, përvec jetës përrallore. Një fjalë e mencur thotë: Kujdes nga cfarë ëndërron, se mund të realizohet...'

Sot për mua ky status nuk do të kishte asnjë kuptim nëse nuk do të përfshihesha dhe përkushtohesha në ndihmë të të pamundurve. Jeta ime, falë angazhimit në Fondacion, ka marrë një dimension shumë herë më njerëzor, është afruar me të vërtetën time, me thelbin. Ndërtimi i shkollës fillore në Gjalisht të Matit apo restaurimi i qendrës për fëmijë me aftësi të kufizuara në Shkodër, më kanë dhuruar shumë lumturi. Mundësia që mu dha për të ndryshuar ato realitete migjeniane, për të bërë të mundur jetesën dhe shkollimin e atyre fëmijëve në kushte njerëzore, më bëri mua njeri më të mirë. Duke përmirësuar realitetet, në thelb Ne përmirësohemi. A nuk është ky një qëllim për të cilin vlen të jetosh?

Ju faleminderit!