Lajme të tjera

Lajme të tjera »

17 Nëntor 2012

Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

Më 17 nëntor në Pallatin Mbreteror u zhvilluan homazhet në nderim të Mbretit Zog I. Princi Leka II, e fejuara e tij znj Elia Zaharia dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore pritën mijëra vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare të ardhur për të nderuar figurën e Mbretit Zog I. Ata vendosën kurora me lule në nderim të figurës së tij.

Perpara Pallatit Mbreteror

Pas homazheve eshtrat e Mbretit Zog u vendosën në shtratin e një topi, për tu përcjellë drejt mauzoleumit të familjes mbretërore. 

Ky mauzoleum u ndërtua pranë themeleve të mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë Sadije, i cili u shkatërrua më 17 nëntor 1944. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Në të do të prehen eshtrat e Mbretit Zog I, Mbretëreshës Geraldine, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Suzanë.

Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarë të familjeve të ndryshme mbretërore si Princi Nicolas i Malit te Zi, Princi George Romanov i Rusisë, Princi Radu i Rumanisë si edhe Duka i Montmartre, i cili përfaqësoi urdhrin e Maltës. 

royalty


Personalitetet më të lartë të kombit shqiptar shprehën vlerësimet e tyre maksimale për figurën e Mbretit Zog. 


Presidenti Bujar Nishani tha se Ahmet Zogu ishte i pari mbret real i shqiptarëve, paçka se për figurën e tij ka diskutime të ndryshme. “Rivarrimi i tij pikërisht aty ku shteti-parti hodhi në erë varrin e nënës së tij, nënës mbretëreshe është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”, tha Nishani.


Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, evidentoi një sërë arritjesh të Mbretit Zog në formimin e një shteti modern shqiptar. “Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zogu i Parë, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e mbretit Zog i Parë, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përcarë, me kontradikta të shumta u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare”, tha Jahjaga.

Ne Mauzoleum


Kryeministri Sali Berisha, u shpreh se kontributi që Zogu i dha Shqipërisë duhet ti bashkojë shqiptarët dhe jo ti përçajë. “Kontributi dhe vepra madhore e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, pavarësisht nga indoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë ti mësosh vonë se kurrë. Kush ka frikë nga eshtrat e monarkut i them që ka mbetur nën lëkurën e Enverit”. 

Kryeministri theksoi se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Ahmet Zogut. “Sot mbarë kombi shqiptar, shqiptarët në të gjitha trojet etnike e kudo që ndodhen, nderojnë e përulen para veprës dhe kontribuit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi Pavarësinë e Shqipërisë”, tha kryeministri i vendit. 

Sipas tij është një rastësi e bukur që mbreti Zog I rikthehet në atdhe në ditën e clirimit të Tiranës. “Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”, vijoi kryeministri.


Presidenti i Republikës Bujar Nishani shtroi një darkë në Pallatin Mbretëror, ku i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve (Pas vdekjes) “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” me motivacionin:


“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian.
Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit.
Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Presidenti Nishani dekoron Mbretin Zog

Në kuadër të ceremonialit pianisti Roberto Cominati dha një koncert përkujtimor pranë Teatrit të Operas dhe Baletit.