Lajme të tjera

Lajme të tjera »

20 Gusht 2013

Martesë mbretërore në Stamboll

LTM Princi Leka II dhe Zj Elia Zaharia të ftuar në martesën e LTM Princit Muhammad Ali të Egjiptit me LTM Princeshën Noal Zaher të Afganistanit

LTM Princi Leka II dhe Znj. Elia Zaharia janë ftuar të marrin pjesë në martesën e LTM Princit Muhammad Ali të Egjiptit, djali i Mbretit Fuad II të Egjiptit, me LSM Princeshën Noal Zaher, mbesë e Mbretit Zaher Shah të Afganistanit.

Ceremonitë e martesës do të zhvillohen në Pallatin Ciragan në Stamboll, në 30 gusht, në prani të Familjeve mbretërore të Egjiptit dhe Afganistanit. Të shumta do të jenë familjet mbretërore europiane dhe ato të Lindjes së Mesme që do të përfaqësohen në këtë eveniment të gëzueshëm.

Përveç faktit që dinastia e themeluar nga Mehmet-Aliu e cila sundoi mbi Egjipt për më shumë se një shekull supozohet të ketë rrënjë shqiptare, pjesmarrja e kreut të Familjes mbretërore shqiptare në këtë martesë dëshmon për miqësinë e vjetër dhe të ngushtë midis kësaj familjeje dhe asaj mbretërore egjiptiane, sidomos gjatë viteve të mërgimit të mbretit Zog I dhe mbretëreshës Geraldine. Nuk duhet harruar që çiftit mbretëror dhe Princit të atëhershëm të Kurorës, LTM Leka, të shoqëruar nga e gjithë familja mbretërore dhe personeli i saj, ju ofrua mikpritja e përzemërt dhe tepër bujare në tokën egjiptiane nga MT Mbreti Faruk I nga 1946 e deri në momentin e rënies së monarkisë, me 1952.

MS Mbretëresha Farida, bashkëshortja e parë e Mbretit Faruk I, dhe LTM Princesha Fadia e Egjiptit morën pjesë në martesën e Mbretit Leka me Mbretëreshën Suzan në Madrid në tetor të 1975.

Mbreti Fuad I dhe Mbreti Faruk I, respektivisht stërgjyshi dhe gjyshi i LTM Princit Muhammad Ali, ishin të dy mbajtës të rangjeve më të larta të urdhërave mbretërore shqiptare, ato të Kolierit të madh të Nderit të Shqipërisë dhe të kordonit të madh me yll të Urdhërit Besa.