Lajme të tjera

Lajme të tjera »

27 Gusht 2013

Vizitë e Zv/Kryetarit të Parlamentit hungarez në Mauzoleun e Familjes mbretërore

Muaji gusht është muaji i lindjes së Mbretëreshës Geraldine. Rasti për Oborrin mbretëror të kujtojë me mirënjohje një vizitë miqësore të një grupi zyrtarësh të lartë hungarezë në Mauzoleun e Familjes mbretërore në Tiranë

Më dt. 4 qershor 2013, një delegacion i Parlamentit Hungarez zhvilloi një vizitë te Mauzoleumi i Familjes Mbretërore në Tiranë ku prehen eshtërat e Mbretit Zog, Mbretëreshës Geraldinë, Mbretit Leka dhe Mbretëreshës Suzan.

Delegacioni hungarez kryesohej nga zv-Kryetari i Parlamenti hungarez, Z. János Latorcai, dhe shoqërohej nga Ambasadori hungarez në Shqipëri, Z. János Huszár.

Zv-Kryetari i Parlamentit hungarez, Z. János Latorcai, deklaroi me atë rast se ndodhej në Shqipëri për mbylljen e punimeve të një projekti ndërparlamentar franko-hungaro-shqiptar të financuar nga BE-ja. Ai shtoi se ishte i lumtur që të vizitonte Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare ku prehen edhe eshtërat e Mbretëreshës shqiptare Geraldinë, e lindur hungareze, për të shprehur kështu miqësinë ndërmjet dy vendeve tona.

Z. Latorcai theksoi se ekzistojnë lidhje të ngushta ndërmjet popullit hungarez dhe atij shqiptar nëpërmjet Familjes Mbretërore Shqiptare dhe se këto lidhje duhet të përforcohen në të ardhmen që të shërbejnë për afrimin e dy vendeve tona, konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë, ritjen e mirëqënies dhe zhvillimin e ndërsjelltë.

L.T.M. Princi Leka II e falenderoi delegacionin hungarez për viziten e tyre dhe e siguroi Z. Latorcai, dhe nëpërmjet atij të gjithë popullin hungarez, për angazhimin e Familjes Mbretërore Shqiptare për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona.

Princi Leka shprehu gjithashtu vullnetin e Familjes Mbretërore Shqiptare për të gëzuar mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.