Lajme të tjera

Lajme të tjera »

26 Shtator 2013

400 vjetori i Dinastisë së Romanovëve

LTM Princi Leka dhe Zj Elia Zaharia të ftuar në ceremonitë e 400 vjetorit të fronëzimit të Familjes Romanov

LTM Princi Leka II i Shqiptarëve, Zj Elia Zaharia dhe një delegacion i familjeve të mëdha shqiptare morën pjesë në ceremonitë e 400 vjetorit të ngjitjes në fronin rus të dinastisë së Romanovëve, të kryesuara nga Lartësitë e Tyre Perandorake, Dukesha e madhe Maria Vladimirovna dhe Duka i madh Georgi Mihailoviç, djali dhe trashëgimtari i saj.

Festimet për nder të 400 vjetorit të Dinastisë Romanov u zhvilluan në Jaltë, rajon i njohur i gadishullit të Krimesë në Detin e zi. Një shërbesë e përshpirtshme në kujtim të familjes së carit të fundit, Nikollës II, të shfarosur nga bolshevikët më 1917, u celebrua më 22 shtator në kishëzën private të Familjes perandorake pranë Pallatit të Livadës, rezidenca e fundit verore e Nikollës II. Në mbrëmje një darkë shtetërore u shtrua në Pallatin e Livadës, ku nderuan me praninë e tyre shumë personalitete, kleri ortodoks rus dhe autoritete të larta zyrtare të Shtetit të Ukrainës.

Shumë familje mbretërore dhe princërore europiane ishin të pranishëm. Mbreti Fuad II i Egjiptit, arqiduka Jozef Karl Habsburg, Don Duarte, princi trashëgimtar i Portugalisë, princesha Maria-Gabriela e Savojës, margravi i Badenit, princi dhe princesha e Lajningenit, princët Vladimir dhe Mikel Karagjorgjeviç, etj.

Qëllimi i prezencës së LTM Princit Leka ishte jo vetëm nderimi i kontributit historik dhe kulturor të Romanovëve, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy familjeve mbretërore, të cilat janë të vjetra dhe të shëndosha.

LSP Dukesha e madhe Maria ka marrë pjesë në martesën e Mbretit Leka I me Mbretëreshën Suzan në Madrid në tetor 1975. Po ashtu, Mbreti Leka I dhe Mbretëresha Suzan kanë qënë të pranishëm në martesën e Dukeshës së madhe më Princin Franc Vilhelm të Prusisë në Madrid në shtator të 1976.

LTP Duka i madh Georgui përfaqësoi Dukeshën e madhe në ceremonitë shtetërore të kthimit të eshtrave të Mbretit Zog I në Tiranë në nëndor të 2012.

400 vjetori i dinastisë Romanov lidhet me zgjedhjen e bujarit Mihal Romanov si car i Rusisë nga kuvendi kombëtar rus më 21 shkurt 1613, i cili i dha fund një periudhe të gjatë turbullirash. Romanovët ishin dinastia e dytë dhe e fundit që sunduan në Rusi, deri më 1917.