Lajme të tjera

Lajme të tjera »

04 Nëntor 2013

Urdhërat mbretërorë në Madrid

Urdhërat mbretërorë shqiptarë në Konferencën ndërkombëtare mbi Urdhërat kalorsiakë dhe sistemin e nderimeve publike në shek. XXI- Madrid, 25-26 tetor 2013

Komisioni ndërkombëtar mbi Urdhërat kalorsiakë (ICOC) dhe Shoqata mbretërore e fisnikërisë së vjetër spanjolle organizoi në Madrid një konferencë ndërkombëtare mbi aktualitetin e urdhërave dhe sistemet e nderimeve publike në shek. XXI. Konferenca, që u zhvillua në kolegjin universitar Marqués de la Ensenada në Madrid, në datat 25 dhe 26 tetor 2013, kryesohej nga nje kolegjium shkencor i përbërë nga Z. Pier Felice degli Uberti, president i ICOC dhe drejtor i revistës prestigjoze « Il Mondo del Cavaliere », konti José Antonio Martinez de Villareal y Fernandez-Hermosa, i Madh i Spanjës*, president i Shoqatës mbretërore të fisnikërisë së vjetër spanjolle dhe i Institutit spanjoll të studimeve mbi fisnikërinë, Z. Michel Teyllard d’Eyry, president i Konfederatës ndërkombëtare të studimeve gjenealogjike dhe heraldike (CIGH) dhe i Akademisë ndërkombëtare të heraldikës, Z. Michel Popoff, president i Akademisë ndërkombëtare të heraldikës (AIG), LTMP arqiduka Jozef-Karl i Austrisë, princ i Hungarisë, anëtar i ICOC dhe fisniku Guglielmo i princëve Giovanelli Marconi, anëtar i Shoqatës së Familjeve historike të Italisë.

Ndër specialistët e shquar të fushës së faleristikës apo studimit të urdhërave dhe sistemeve të nderit që kumtuan në këtë konferencë, mund të përmenden Guy Stair Sainty dhe Jaime de Salazar y Acha.

Në seancën e së shtunës, 26 tetor 2013, Z. Thomas Frashëri, laureat i Institutit të Francës dhe i Universitetit Paris II Panthéon-Assas, dhe ekspert i Urdhërave mbretërorë shqiptarë, mbajti një kumtesë mbi historinë dhe aspektet juridikë të urdhërave të mbretërive ballkanike. Një vend të veçantë në këtë referat zunë edhe urdhërat shqiptarë, të cilët ishin objekt i një analize shkencore të nevojshme për klasifikimin e tyre sipas kritereve të së drejtës ndërkombëtare zakonore të sistemeve të nderit. Z. Frashëri vuri theksin në kujdesin që kanë treguar familjet mbretërore ballkanike në akordimin e urdhërave të familjeve ish-mbretëruese pas kthimit nga mërgimi dhe interesin e tyre për të patur një kuadër juridik të qartë evitues të konflikteve me sistemet e nderimeve te shteteve ku ata jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre publike dhe private. Z. Frashëri bëri gjithashtu të njohur edhe bibliografinë shumë pak të njohur mbi urdhërat shqiptarë, sidomos punimet me vlerë të Z. Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku.

Aktet e konferencës do të botohen në Itali në muajt në vazhdim.