Roli i mërgatës në shtetformim

Roli dhe kontributi i Mbretit Leka në mërgim për lirinë e popullit shqiptar dhe çështjen kombëtare

Më 9 prill 1961 ndërroi jetë Mbreti Zog në Paris. Ai nuk abdikoi asnjëherë. As nuk pranoi ndonjëherë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Sipas artikullit 57 të Statusit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, Mbreti Leka bëri betimin brenda 10 ditëve. Më 15 prill të atij viti, u betua para një asambleje përfaqësuese të kombit shqiptar në mërgim, duke përsëritur fjalë për fjalë betimin e parashikuar në artikullin 56 të Kushtetutës: “Unë, Leka I, Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hypi në fronin e Mbretnisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretnore, betohem para Zotit Fuqimadh, për me rujt njësinë kombtare, indipendencën shtetnore dhe tanësinë tokësore; gjithashtu kam me rujtun statutin e kam me veprue pikërisht mbas atij dhe si mbas ligjvet në fuqi, tue pasun parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.

Për Mbretin Leka, kombi ishte një dhe pa diferencime krahinore, fetare, politike apo shoqërore. Nacionalizmi ishte filozofia e tij dhe e konsideronte si antitezën e internacionalizmit komunist. Çlirimi i atdheut ishte objektivi madhor, jo vetëm për t’i kthyer popullit shqiptar lirinë e mohuar nga diktatura, por edhe për të çliruar trojet etnike të pushtuara padrejtësisht. Bashkimi i shqiptarëve ishte ideali i tij, që duhej të realizohej nën një Shqipëri etnike, ku populli të vendoste lirisht formën e regjimit nëpërmjet një referendumi.

Ndonëse në moshë të re, 22-vjeçare, kur pranoi barrën e fronit mbretëror, Mbreti Leka ishte i rrethuar nga personalitete të shquara, të edukuara dhe me përvojë në qeverisje, në administratë e protokoll, si dhe të ushqyer me ndjenja patriotike.

Në mesazhin e parë që Mbreti Leka i drejtoi popullit shqiptar më 28.11.1961, ndër të tjera, ai tha: « Nuk duhet të dëshpërohemi… Vendi ynë, shpejt ose vonë, do të gjejë vendin e përshtatshëm midis kombeve të lira dhe demokratike ». Ai vazhdoi: « Sikundër e pata thanë dhe njëherë më parë, kur fati më ngarkoi këtë mision të randë dhe të shenjtë, të cilit do t’i kushtoj gjithë jetën time dhe për përmbushjen e të cilit kam nevojë për ndihmën tuaj besnike, përsëri po bëj një thirrje të nxehtë ndër ndjenjat e juaja të atdhetarizmit dhe ju ftoj në një bashkëpunim vllazëror, tue lanë mënjanë ndryshimet ideologjike, sepse kjo rrugë është e vetmja për të mbrojt

me sukses interesat dhe të drejtat tona kombëtare ». Në përfundim të mesazhit të tij të parë, ai konkludoi se: « Tue vepru në këtë mënyrë, do të keni bindjen se do të plotësoni detyrën patriotike dhe sigurisht, do të rifitoni kështu besimin e patundun për një të ardhme të lumtun për atdheun tonë të dashtun ».

Gjatë gjithë jetës së tij, bashkimi i shqiptarëve dhe çështja kombëtare ishin në qendër të të gjitha përpjekjeve të Mbretit Leka dhe nuk munguan asnjëherë thirrjet e tij ndaj popullit shqiptar, në këtë drejtim.

Hapat e parë në krye të detyrës së tij, ai i bëri për t’u njohur me emigracionin politik shqiptar anembanë botës, duke patur në të njëjtën kohë edhe përgjegjësinë e gjetjes së një vendi mik, ku do të mund të vendosej me familjen mbretërore dhe suitën e tyre dhe që do t’u akordonte mbrojtjen diplomatike dhe njohjen e pasaportave mbretërore.

Në vitin 1962, Familja Mbretërore u zhvendos nga Franca në Spanjë dhe nga ai vend, Mbreti Leka filloi kontaktet dhe turnetë në botë. Sigurisht baza e tij mbështetëse dhe kontigjenti i natyrshëm administrativ, logjistik dhe ideologjik, ishin familjet besnike të idealeve zogiste, që gjendeshin në radhët e Legalitetit, asokohe OKLL. Por, Mbreti Leka dëshironte që të bashkoheshin shqiptarët dhe synonte përtej përkatësive politike dhe ndasive krahinore, fetare apo shoqërore. Çlirimi i tokave të pushtuara ishte një synim në vetvete dhe për këtë duhej angazhimi i të gjithëve.

Në kongresin e parë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, që u mbajt në New York më 26-27.11.1966, Mbreti Leka i dërgoi më 25.11.1966 një mesazh këtij kongresi, ku u shpreh se: “Dëshirat tona vllaznohen me sakrificat e Lidhjes së Prizrenit. Stop. Ju urojmë sukses në ndërmarrjen e veprimtarisë suaj për të mirën e Kosovës dhe të atdheut shqiptar. Stop. Kemi besimin e patundun se kosovarët në mërgim kanë me u diftue të denjë të t’parve të tyne, që sakrifikuan çdo gjë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipninë. Stop.”.

Në të gjitha udhëtimet në komunitetet shqiptare në mërgim, qëllimi i tij fillestar ishte të intensifikonte takimet dhe bashkërendimin e punëve me të gjitha forcat aktive në mërgim, që synonin antikomunizmin dhe Shqipërinë Etnike. Shprehja dhe dëshira e bashkëpunimit me grupimet nacionaliste kuptohen sidomos në shkëmbimin e korrespondencave dhe mesazheve, si psh: Telegrami i urimit që Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, z. Ukë Sadiku-Berisha i dërgoi Mbretit Leka me rastin e 28.11.1967, ku u shpreh se: “Ky eveniment historik le të festohet në të ardhmen me një Shqipni të vërtetë Etnike”.

Vizita e parë e Mbretit Leka në SHBA dhe Kanada filloi më 29.06.1968 dhe zgjati disa ditë. Aty zhvilloi takime të shumta me komunitetet shqiptare në qytete të ndryshme dhe me personalitete të administratës amerikane, siç ishte rasti i ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Hugh Grant. Në një intervistë dhënë për gazetën “Augusta Herald” me atë rast, Mbreti Leka deklaroi: “I konsideroj SHBA-të si shpresa e vetme për çlirimin e vendit tim”. Dhe kur gazetarja Sally Lofton e pyeti, nëse ai shpreson akoma për t’u kthyer në vendlindje, Mbreti Leka iu përgjigj: “Nuk është një çështje shprese, por një detyrë kundrejt shqiptarëve… derisa të jemi të lirë”. Mbreti Leka e kishte të qartë në mendjen e tij, që përveçse detyrës dhe përgjegjësisë “duhej të ndodhte edhe një ndërhyrje ushtarake” (op.cit.).

Shpeshherë kundërshtarët e tij kanë pretenduar se Mbreti Leka dëshironte të kthehej me çdo kusht në fron. Por, siç e vërtetoi e gjithë veprimtaria e tij në mërgim, ky pretendim ishte veçse një shpifje absurde. Në mesazhin e drejtuar popullit shqiptar, me rastin e 58-vjetorit të Pavarësisë, më 28.11.1970, Mbreti Leka u shpreh se: “Interesat e nalta të atdheut kërkojnë gjithmonë bashkim e vllaznim” dhe se “kjo gjë sot asht ma e nevojshme se kurrë”.

Gjithashtu ai konfirmoi se: “Të kemi gjithmonë parasysh se një ditë do të kthehemi në atdhe dhe do të mundemi të shprehim lirisht vullnetin tonë, ku -unë ma i pari– do t’i nënshtrohem vullnetit të popullit, sepse asht e vetmja rrugë që çon drejt mbarëvajtjes dhe mirëqënies së përgjithshme si shtet”. Pasi u njoh me organizatat dhe veprimtarët shqiptarë në mërgim, Mbreti Leka materializoi apelet e tij për bashkim, duke thirrur një mbledhje të përgjithshme në Madrid, më datën 2-3.07.1972, që u quajt Konferenca e Madridit. Në këtë mbledhje për herë të parë u ulën së bashku: Organizata Balli Kombëtar, Partia Agrare Balli Kombëtar, Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, Heroizma Shqiptare, Bashkimi Shqiptar, Lidhja e Prizrenit dhe Komiteti Shqipëria e Lirë. Vëzhgues në këtë mbledhje ishin Federata Panshqiptare Vatra dhe Blloku Kombëtar Indipendent.

Në fjalën hyrëse dhe pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, Mbreti Leka tha: “Kushtet e rrezikshme në atdheun tonë na çojnë në përfundimin se, emigracioni shqiptar duhet të jetë i pregatitur të plotësojë siç duhet misionin e tij historik, në mbrojtje të të drejtave tona kombëtare dhe duhet të bashkohet”. Ai shtoi se: “Nevoja që shqiptarët në mërgim të bashkohen është vënë në dukje shpeshherë edhe nga kryetarët e shteteve mike”. Jo rastësisht kryetarë të Konferencës së Madridit u zgjodhën unanimisht z. Xhaferr Deva, që ishte njëkohësisht edhe kryetar i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, dhe përfaqësuesi i Mbretit Leka, z. Atanas Gega. Në përfundim të punimeve të kësaj konference, partitë dhe grupet e emigracionit shqiptar vendosën ndër të tjera:

Në vitin 1973, ai vizitoi përsëri SHBA-të, ku zhvilloi takime të rëndësishme me Senatorë dhe Kongresmenë në Washington. Qëllimi i kësaj vizite ishte i shumëfishtë: shprehja e miqësisë dhe aleancës së popullit shqiptar me SHBA-të; sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për gjendjen në Shqipërinë komuniste dhe trojet shqiptare të robnueme; rikonfirmimi i konceptit të “Shqipërisë Etnike” dhe bashkimi i emigracionit shqiptar.

Më 30.07.1975 hapi punimet Konferenca e Helsinkit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, që i pasoi mbledhjes së Komitetit për Koordinim, që u mbajt në Gjermani pak muaj më parë. Në këtë mbledhje të fundit i ishte kërkuar Bashkimit Sovjetik njohja e Status Quo-s për kufijtë e Europës dhe Konferenca e Helsinkit kishte për ta miratuar atë vendim. Prandaj, Mbreti Leka i dërgoi një Memorandum Konferencës së Helsinkit, ku iu bëri me dije përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, se asnjë vendim që cënon të drejtat legjitime të popullit shqiptar, si dhe integritetin territorial të Shqipërisë Etnike, nuk do të pranohet.

Ndërkaq, Mbreti Leka u martua më 08.10.1975, me mbretëreshën Suzanë. Në dasëm morën pjesë mbi 2.000 shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe nga Kalabria, përfaqësues të klerit mysliman, ortodoks e katolik, si dhe një përfaqësues i kishës anglikane. Edhe në një rast si ky, Mbreti Leka synoi që të bashkonte shqiptarët dhe besimet fetare.

Në vitin 1975, Mbreti Leka krijoi gjithashtu Ushtrinë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, e cila ishte e përbërë nga: Një krah ushtarak, që organizonte stërvitjen e vullnetarëve shqiptarë në Spanjë dhe vende të tjera, si dhe nga një Këshill Ushtarak të kryesuar nga vetë Mbreti. Krijimi i kësaj Ushtrie i parapriu thyerjes së marëdhënieve të ngushta ndërmjet Shqipërisë komuniste dhe Kinës, izolimit të vendit por edhe ngjarjeve në Kosovë dhe trojet e tjera në Jugosllavi. Motivi i krijimit të Ushtrisë dhe Këshillit Ushtarak ishte për të koordinuar, fuqizuar dhe drejtuar veprimtarinë kombëtare për çlirimin e popullit shqiptar, nën një Shqipëri Etnike.

Mënjëherë pas stërvitjeve të para të Ushtarëve të Mbretit, bëhet aksioni i pare, ku më 24.12.1976, goditet me predhë ambasada e regjimit komunist të Tiranës në Francë, nga grupi i çetës “Hamit Matjani”. Ky aksion kishte për qëllim që të ndërgjegjësonte opinionin publik ndërkombëtar për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste dhe të ringjallte shpresat e popullit shqiptar për një ndryshim të regjimit.

Ndërkohë, Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë hapi punimet në Beograd. Me këtë rast, Mbreti Leka u drejtoi pjesëmarrësve një Memorandum, më 15.06.1977. Aty, ai shprehet se: “Ne konsiderojmë se Jugosllavia nuk është e denjë për të folë, dhe aq më pak, për të organizue Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit në Evropë”.

Duke vënë në dukje shkeljet e të drejtave të njeriut nga qeveria jugosllave në Kosovë dhe diktaturën në Shqipëri, Mbreti Leka u kërkoi kryetarëve të shteteve pjesëmarrëse në Konferencën e Beogradit, që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të dënojnë publikisht veprimet e këtyre dy qeverive. Ai konfirmoi në atë Memorandum se: “Nuk mund të ketë paqë, dorështrëngim dhe mirëkuptim në Ballkan, po nuk u njoft prej të gjithëve integriteti territorial i Shqipnisë Etnike, me Kosovë e Çameri”. Mbreti Leka konkludoi më tej, se: “Çdo vendim tjetër që mund të merret në Konferencën e Beogradit është i kundërt me legjitimitetin shqiptar dhe do të konsiderohet si i paqenë dhe i pavlefshëm”.

Gjatë natës së 24-25.08.1977 u dhunua varri i Mbretit Zog në Paris, nga agjentë të Sigurimit të shtetit komunist shqiptar, por nuk u arrit që të grabitet kufoma e Mbretit.

Më 19.11.1977, Këshilli Ushtarak lëshoi një komunikatë, me anën e së cilës njoftoi, se: “Gjatë natës së 19.11.1977 u krye këputja e lidhjes telefonike dhe telegrafike në detin Adriatik që lidhte Shqipërinë me Italinë, nga grupi i çetës nëndetëse “Mujo Ulqinaku”. Në këtë komunikatë u sqarua gjithashtu se: “Ky aksion është bërë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik botëror mbi situatën politike dhe gjendjen e mjerueshme në Shqipni”.

 Në realitet, ky aksion ishte një përgatitje për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri. Më rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Mbreti Leka lëshoi një deklaratë, ku u shpreh se: “Vllaznit tonë kosovarë luftuen për liri dhe për bashkimin me nanën Shqipni, por u tradhëtuan mizorisht prej klikës së Enver Hoxhës me shokë, që ua lidhën duart vllaznive të tyre dhe ua dorëzuan armiqve shekullorë për me i vra pa mëshirë”. Ai shtoi se: “Gjendja ndërkombëtare është e turbullt. Në sektorin e Ballkanit ndoshta shumë shpejt kanë me u vërtetu ngjarje me rëndësi, të cilat vetëkuptohet që kanë me pasë pasoja edhe për atdheun tonë. Prandaj, si bijë të denjë të Lidhjes së Prizrenit duhet që t’i vejmë në lëvizje të gjitha fuqitë tona për një Shqipni të lirë, etnike e demokratike”.

Në të njëjtën kohë vazhduan kontaktet me grupet, partitë dhe organizatat politike antikomuniste shqiptare në botë dhe u kryen disa turne të Mbretit Leka në Europë. Në një intervistë dhënë gazetës franceze “L’Eventail”, më 24.11.1978, Mbreti Leka ritheksoi se detyra e tij është që të çlirojë popullin shqiptar nga komunizmi, ta bashkojë atë dhe se: “Populli duhet të vendosë me referendum, nëse dëshiron Mbretninë Kushtetuese apo Republikën”.

Në atë intervistë, ai nuk jep hollësira për vendet ku stërviten ushtarët e ushtrisë së tij, por pohon se ka lidhje të mira me SHBA-në dhe botën arabe. Deklaroi gjithashtu, se: “Vetëm Jugosllavia do të luajë një rol të rëndësishëm për ne, pas vdekjes së Titos”. Përgatitjet ushtarake për një ndërhyrje në tokat shqiptare u bënë çdo ditë e më të prekshme. Spanja, që ishte një vend kandidat për anëtarësim në Komunitetin Europian (BE e sotme) i kërkoi Mbretit të largohet nga tokat e saj. Ndaj, në fillim të vitit 1979 Mbreti, Familja Mbretërore dhe një togë ushtarësh, u larguan në drejtim të Gabonit, Rodezisë (Zimbavesë së sotme) dhe më vonë, për në Afrikë të Jugut. Po atë vit, Mbreti u ftua për një vizitë në SHBA, ku takoi zyrtarë të lartë dhe konfirmoi mbështetje për ushtrinë dhe veprimtaritë e tij.

Pas vdekjes së Titos, në maj të vitit 1980, Mbreti Leka i drejtoi një Memorandum Shtëpisë së Bardhë, Kongresit dhe Senatit amerikan, ku shprehu rreziqet e Bashkimit Sovjetik në Evropën Juglindore dhe nevojën për ndihmën amerikane në tre drejtime strategjike:

Në qershor të vitit 1980, Presidenti Sadat e ftoi Mbretin Leka për t’u vendosur në Egjipt, ku mund të vazhdonte më lehtë aktivitetet politike dhe ushtarake për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Me këtë rast, ambasada e shtetit komunist shqiptar në Kairo protestoi tek autoritetet e vendit, duke e cilësuar këtë vendim të Sadatit si një “akt jo-miqësor” ndaj Shqipërisë.

Ndërkohë që po bënin përgatitjet për një zhvendosje për në Egjit, Presidenti Sadat ndërroi jetë në një atentat. Kështu që dështoi afrimi i Mbretit Leka dhe i ushtrisë së tij nga brigjet e detit Mesdhe. Në mesazhin drejtuar popullit me rastin e 28.11.1980 dhe pasi bëri një ekspoze të rreziqeve që po i kanoseshin atdheut dhe popullit shqiptar, Mbreti Leka bëri edhe një herë një apel për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, ku u shpreh se: “Koha na tregon se… duhet me i rrëmbye armët për mbrojtjen e Shqipnisë Etnike prej armiqve… dhe për zhdukjen e komunizmit barbar nga trevat tona”.

Nga data 16.02.1981 deri më 17.04.1981, Mbreti Leka qëndroi në SHBA ku zhvilloi takime të rëndësishme me Senatorë, Kongresmenë dhe në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë kësaj vizite, ai u ftua edhe në Seminarin e 12-të të veteranëve të Luftës Amerikane në Capitol Hill, ku bëri një ekspoze të gjendjes në Shqipëri, në trojet shqiptare të robëruara, si dhe të rreziqeve që e kërcënonin Evropën prej shtrirjeve të Bashkimit Sovjetik drejt Adriatikut nëpërmjet Jugosllavisë, çka do të rrezikonte gjendjen e popullit shqiptar. Mbreti Leka shpjegoi gjithashtu se Ushtria Kombëtare për Çlirimin e Shqipnisë Etnike ka për qëllim “çlirimin e popullit shqiptar nga komunizmi dhe bashkimin kombëtar”.

Në fund të fjalës së tij, Senatori Hamilton Fish, ish-kryetar i Dhomës për Punët e Jashtme në Senatin Amerikan dhe themelues i Legjionit Amerikan, i drejtoi një thirrje administratës amerikane, ku deklaroi që SHBA duhej “të ndihmojë miqtë e Amerikës me armë, financa dhe çdo gjë tjetër. Kështu që këta popuj të etur për liri e demokraci të çlirojnë vendet e tyre, pasi po të rrimë me duar kryq, diktatura subversioniste dhe agressive do të shtrihet në mbarë botën”.

 Ndërkohë, situata po përkeqsohej në Kosovë me reprezaljet e qeverisë jugosllave ndaj kryengritjeve studentore dhe popullore. Më 9.08.1981, Mbreti Leka i drejtoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Kurt Waldheim. Letër, e cila u shndërrua në peticion, në emër të popullit shqiptar të Kosovës dhe ku Mbreti:

Më 26 mars 1982, lindi princi trashëgimtar Leka dhe deri atëherë, Mbreti u kishte shpëtuar disa atentateve. Më 30.08.1982, Mbreti Leka i nisi një letër Kryetarit të Shtetit Turk, Gjeneralit Kenan Evren që ishte duke u nisur për një udhëtim në Jugosllavi dhe kërkoi ndihmën e tij “në favor të shqiptarëve të Kosovës” si dhe të ndërhyjë për lirimin e mijërave të burgosurve shqiptarë.

Në atë letër, Mbreti shton se: “shpreh bindjen se shteti turk mund të luajë një rol të rëndësishëm në rivendosjen e paqes në Kosovë”. Në mesazhin drejtuar popullit shqiptar me rastin e 28.11.1982, ndër të tjera, Mbreti Leka tha: “Gjendja ndërkombëtare është shumë kritike, sidomos në sektorin Ballkanik, të prijmë me revoltën patriotike kosovare për të drejtat legjitime shqiptare në trojet tona stërgjyshore, si dhe me ngjarjet serioze brenda kufijve politikë të vendit tonë sot, lënë me kuptu se së shpejti kanë me u vërtetu ndryshime gjeo-strategjike, të cilat vetkuptohet se kanë me pasë pasoja jetike për kombin tonë dhe Shqipninë Etnike”. Dhe shtoi: “Prandaj, sot më tepër se kurrë, ju bëj një thirrje të nxehtë ndjenjave tuaja t’atdhetarizmit dhe ju ftoj: Bashkohuni – bashkohuni nacionalista shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut.

Se atdheu është në rrezik, e gjaku që u derdh dhe po derdhet në Kosovën shqiptare, si dhe vuajtjet e mjerimi i popullit shqiptar brenda kufijve etnikë, presin ndihmën tuaj të bashkueme. Se vetëm të bashkuem mundemi me realizue sigurimin e një Shqipnije të lirë, Etnike dhe demokratike, dhe me i rikthye popullit shqiptar lirinë e lumturinë e meritueme”.

Apelet e vazhdueshme të Mbretit Leka kishin provokuar, që në vitin 1979, krijimin e Këshillave të Nacionalistëve Shqiptarë në shumë vende të botës, ku jetonin emigrantët politikë shqiptarë. Këto këshilla organizuan që në vitin 1981 demostratat e para në mbështetje të kërkesave legjitime të popullit shqiptar të Kosovës, si në Bruksel, Bon, Paris, Londër, New York, Washington, Chicago, Toronto, Sidney, etj… Ndërkohë që Mbreti Leka bënte apel dhe u përpiqte për bashkimin e shqiptarëve, angazhimin e tyre për çështjen kombëtare, mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë Etnike, etj, diktatori komunist Enver Hoxha në fjalimin e tij të mbajtur në Tiranë, më 10.11.1982, para zgjedhjes së legjislaturës të 10-të të të ashtuquajturës Asamble Popullore të RPSSH, deklaroi: “Leka Zogu, një bandit, trafikant armësh, droge dhe femrash, të cilit, për çudi, një shtet mik i yni i jep strehë dhe e lejon që të jape intervista shtypit dhe të thërrasë për ndryshimin e pushtetit popullor në Shqipëri”.

Por Mbreti Leka e kishte siguruar mbështetjen e aleatëve të natyrshëm të popullit shqiptar, SHBA.

Më 15.12.1982, Senatori Jesse Helms, mbajti një fjalim në Kongresin amerikan, ku theksoi se: “Lajmet e kohëve të fundit bëjnë të ditur se udhëheqësi i ri sovjetik, Juri Andropov, po përpiqet t’i japë fund përçarjes 22-vjeçare midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë”. Ai theksoi se: “Kombi shqiptar ëndërron për liri dhe pavarësi kombëtare. Është në interesin strategjik të Amerikës për të parandaluar ripushtimin e Shqipërisë nga sovjetikët dhe është detyra jonë morale për t’i ndihmuar popullit shqiptar, që ta çlirojë vendin e tij njëherë e përgjithmonë nga komunizmi”. Ai shtoi se : “Rezistenca nacionaliste shqiptare, si brenda vendit ashtu edhe jashtë, kurrë nuk hoqi dorë nga lufta për liri. Të mbledhur rreth Mbretit të tyre në mërgim, NMT Leka I, Mbretit të Shqiptarëve, u bashkuan si kurrë ndonjëherë më parë në vendosmërinë e tyre për t’i dhënë fund shtypjes komuniste në vendin e tyre të lashtë. Duke besuar në Zotin, në kombin e tyre dhe në Mbretin e tyre, shqiptarët e dinë se përsëri mund të jenë një komb i lirë”. Ky fjalim u shkruajt zyrtarisht në Records (fletorja zyrtare) e Kongresit Amerikan.

Po ashtu, më 7.06.1983, përsëri Senatori Jesse Helms, me rastin e një vizite të Mbretit Leka në Washington, mbajti një fjalim të gjatë para Kongresit Amerikan, nën titullin: “Ballkani sot: Jugosllavia dhe perspektivat për çlirimin e Kombit Shqiptar”. Në atë raport paraqitej “rreziku i destabilizimit të Ballkanit nga Bashkimi Sovjetik që synonte të dilte në Ujrat e Ngrohta (Adriatik)”. Aty deklarohej publikisht se “Bashkimi Sovjetik po destabilizon në mënyrë aktive Federatën Jugosllave, duke përdorur ndjenjat kombëtare, shpeshherë pa dijeninë e grupeve etnike në fjalë”. Ai shtoi se: “Në rastin e Kosovës, për shembull, sovjetikët formuan një organizatë të quajtur ‘Fronti i Kuq’, e cila financohet nga Moska dhe frymëzohet nga Tirana…”. Sipas senatorit Helms, “Fronti i Kuq është me orientim marksist-leninist, por manipulon ndjenjat anti-serbe që janë aq shumë të përhapura ndër shqiptarët, që jetojnë në rajonin e Kosovës dhe në vendet e tjera. Fronti i Kuq vepron në komunitetet shqiptare në Belgjikë, Gjermani Perëndimore, Zvicër, Turqi, SHBA, Kanada dhe Australi, disa herë nën emra të ndryshëm”. Duke analizuar gjendjen në Kosovë, senatori Helms vazhdoi fjalimin e tij para Kongresit Amerikan: “Në fillim të viteve ‘70, kur Këshilli Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike – Lëvizja Çlirimtare në Shqipëri, që përfaqësohet nga NMT Leka I, Mbreti i Shqiptarëve – filloi të krijojë një rreth informativ në zonat shqiptare në Jugosllavi (përkatësisht në Kovosë) si një urë për të penetruar në Shqipërinë politike, dmth në Shqipërinë me kufijtë e sotshëm, dy faktorë dolën në shesh: Faktori i parë ishte rritja e valës së nacionalizmit brenda komuniteteve shqiptare në Jugosllavi.

Dhe së dyti, ishte fakti që paralelisht me Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, po formohej një organizatë nga Bashkimi Sovjetik. Që të dyja këto organizata përbëhen nga vullnetarë, ndjenjat e të cilëve për nacionalizmin shqiptar kanë arritur deri në atë pike, saqë janë gati të ndërmarrin rreziqe jashtëzakonisht të mëdha për ribashkimin e Kosovës me atdheun e tyre. Veprimtaria e Këshillit Ushtarak i dha rast popullit të Kosovës që të shprehë ndjenjat e veta nacionaliste, me anë të një veprimtarie ndërtuese duke luftuar regjimin e tanishëm të Tiranës. Ata ishin plotësisht të vetëdijshëm se duke çliruar Shqipërinë, mundësitë për ribashkim me atdheun do të shtoheshin në mënyrë të dukshme dhe ribashkimi do të arrihej.

Vetëm pak kohë para vdekjes së Marshallit Tito, organizatat e influencuara dhe të kontrolluara nga Bashkimi Sovjetik në Kosovë, filluan veprimtaritë e tyre militante… Njëkohësisht, disa anëtarë të qeverisë së Tiranës kishin filluar të politizonin klasën intelektuale të shqiptarëve të Kosovës. Ideologjia e tyre ishte e ngjashme me atë të Tiranës dhe ofronin një zgjidhje marksiste-leniniste, me ribashkimin kombëtar si kurth”. Më poshtë në raport, Senatori Helms vazhdoi duke përshkruar situatën në Kosovë, vrasjet e burgosjet, si dhe gjendjen në Shqipëri. Ai deklaroi se: “Nëse nuk merren masat e nevojshme, ose me ndërhyrje nga ana e fuqive perëndimore – ose duke inkurajuar lëvizjet nacionaliste antikomuniste brenda vendeve të ndryshme, e gjithë kjo zonë do të kontrollohet dhe dominohet nga Bashkimi Sovjetik brenda një kohe të shkurtër, thuajse 2 vjet”.

Në përfundim të raportit të tij para Kongresit, Senatori Helms tha: “Zoti Kryetar, në vend që të lejojmë që rajoni i Ballkanit të eksplodojë si shkak i manipulimeve sovjetike, do të ishte më e këshillueshme që Perëndimi të përpiqet për një evolucion të natyrshëm të asaj zone. Një evolucion i tillë duhet të bazohet në parime të drejta që do të garantojnë integritetin dhe sovranitetin e kombeve të ndryshëm brenda kufijve natyrorë etnografikë të tyre. Një shembull i një evolucioni të tillë do të garantojë që shqiptarët e Kosovës të ribashkohen me atdheun e tyre, Shqipërinë. Por, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me një Shqipëri jokomuniste dhe properëndimore”.

Ky ishte një fjalim profetik i mikut të ngushtë të Mbretit Leka, pas lobimit që Mbreti kishte bërë vite me radhë në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres, në Senat, CIA, NSA, etj, por edhe në bazë të veprimtarisë së tij duke u bërë apel shqiptarëve për bashkim dhe përpjekje kundër ideologjisë sllavo-komuniste.

Në të njëjtën kohë, grupet e ndryshme marksiste-leniniste nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë komuniste intesifikuan përpjekjet e tyre duke krijuar lëvizje të ndryshme siç ishte Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi dhe duke aktivizuar rrjetet propagandistike me organe të shtypit, ku shpesh herë denigronin dhe akuzonin në mënyrë të tërthortë, Mbretin Leka dhe nacionalistët antikomunistë, me të njëjtat akuza banale që përdorte Tirana Zyrtare kundër tyre. Ndërkaq, Radio Tirana raportonte lidhur me ngjarjet e Kosovës: “Shqipëria Socialiste nuk ka bërë as ndërhyrjen më të vogël në Kosovë dhe as ndonjë protest zyrtare”. Radio Tirana sqaronte se: “Vetëm “Zëri i Popullit” botoi një artikull, ku shprehu mendimin e tij si media, siç bëri edhe i gjithë shtypi botëror për ngjarjet në Kosovë. Që kur botuam artikullin tonë të 8 Prillit dhe deri tani, ne e kemi ruajtur gjakftohësinë”. Në fillim të vitit 1984, në Miami, Mbreti Leka nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme (me 5 pika) me Gjeneral Vladimir Secen, Kryetar i Legjionit Ndërkombëtar Antikomunist dhe lider i Kroatëve të Mërguar në SHBA, Dr. Silvaio Arguello, ish-zëvendës Kryetar i Shtetit të Nikaraguas, z. Ernesto De La Fe, Sekretar i Përgjithshëm i organizatës Primera Continental de la Demokracia Kombatente dhe me disa organizata luftarake antikomuniste, ku bashkë me Ushtrinë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, vendosën të bashkërendojnë forcat e tyre politike dhe ushtarake kundër armikut të përbashkët – komunizmit ndërkombëtar, si dhe të krijojnë një front të përbashkët politik dhe ushtarak.

 Me 18.01.1984, Mbreti Leka i dërgoi një teleks Konferences Islamike që ishte mbledhur në Rabat (Marok) dhe ku u kërkoi shteteve anëtare të kësaj konference të bëjnë presion ndaj qeverisë së Tiranës për hapjen e vendeve të besimit dhe lejimin e feve. Po atë vit, më 31.10.1984 Mbreti Leka dhe mbretëresha Suzanë udhëtuan në Paraguaj me ftesë të presidentit të republikës, gjeneral Alfredo Stroesner. Aty, përveç bisedave zyrtare për interesat e lirisë dhe demokracisë së Shqipërisë Etnike, Mbreti Leka zhvilloi audienca edhe me të gjithë trupin diplomatik të akredituar në Paraguaj dhe takime intensive me Ministrin e Mbrojtjes, Ministrin e Jashtëm, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave Ajrore dhe me komandantët e të gjithave regjimenteve të ushtrisë.

Në dhjetor 1984 ishte paralajmëruar takimi i Sekretarit të Shtetit Amerikan, z. Georges Schultz me homologun e tij sovjetik, z. Gromiko. Me këtë rast, Mbreti Leka i dërgoi një teleks z. Schultz, ku i kërkoi atij që të ketë parasysh gjatë takimit me z. Gromiko disa pika që prekin interesat kombëtare shqiptare dhe veçanërisht se:

Me rastin e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, Oborri Mbretnor lëshoi një deklaratë për shtyp, më 12.04.1985, ku paralajmëroi se një periudhë destabiliteti do të fillojë në vendin tonë dhe se egziston rreziku i një ekspansionin sovjetik në Ballkan. Prandaj, Mbreti lëshoi një thirrje për të gjithë nacionalistët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve që të bashkohen “sot ma tepër se kurdoherë për mbrojtjen e integritetit tonë kombëtar dhe për të ndihmuar krijimin e një kombi të lirë dhe demokratik, brenda kufijve tonë etnikë”.

Ndërkaq, më 27.09.1986, në New York u firmos marrëveshja multilaterale e Komunitetit të Evropës Qendrore, ndërmjet Mbretit Leka për Shqipërinë Etnike dhe përfaqësuesve në botën e lirë të vendeve të robëruara nga diktatura komuniste, siç ishin: Mbretëria Bullgare, Mbretëria Rumune, Shteti Kroat, Republika Çekosllovake, Republika e Polonisë dhe Republika e Estonisë. Në këtë marrëveshje u afirmua ndër të tjera koncepti i Shqipërisë Etnike, i bashkimit kombëtar dhe i përpjekjeve për demokraci, liri dhe vetëvendosje për popujt e përfaqësuar në këtë marrëveshje.

Këshilli për Evropën Qendrore i kësaj organizate ishte i përbërë nga firmëtarët e marrëveshjes dhe kishte për anëtarë nderi LTI Dr. Otto von Habsburg, Deputet në Parlamentin Evropian, Senatorin amerikan Jesse Helms, Ambasadorin amerikan David Funderburch, etj. Mbështetja politike perëndimore për kauzën shqiptare dhe për përpjekjet e kombit tonë të përfaqësuar nga Mbreti Leka, ishte e qartë. Ky Këshill zhvilloi një aktivitet të ngjeshur diplomatik, sidomos lidhur me çështjen e Kosovës, siç ishte:

Duke marrë parasysh ndryshimet e pakthyeshme në të gjithë Evropën, sidomos në kampin e Lindjes, ky Këshill i drejtoi më 12.04.1989 një letër personale Sekretarit të Përgjithshëm të Parlamentit Evropian, Asistentit të Posaçëm të Presidentit Amerikan dhe Vatikanit, ku protestoi kundër dhunës së ushtruar nga serbët ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe vise të tjera dhe ku kjo situatë krahasohet me një genocid. Po të njëjtën ditë, ky Këshill iu drejtoi një Memorandum të gjithave vendeve anëtare të OKB-së, ku u shprehën të njëjtat shqetësime.

 Më 01.11.1988, Mbreti Leka u drejtoi një letër të veçantë dhe personale të gjithë delegatëve dhe vëzhguesve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ë, ku u kërkoi ndërhyrje urgjente në Kosovë, sepse fati i kombit shqiptar ishte në rrezik. Këtë letër Mbreti Leka e shoqëroi me një Memorandum, ku u vunë në dukje qëllimet ekspansioniste të Serbisë, nevoja për vetëvendosje të shqiptarëve të Jugosllavisë dhe synimi për bashkimin nën një Shqipëri Etnike. Bashkangjitur me këtë letër dhe Memorandum ishte edhe një hartë e Jugosllavisë dhe një mesazh i përbashkët i Presidentit të Shtetit Kroat të Lirë, Gjeneral Vladimir Secen dhe Mbretit Leka, drejtuar popujve kroatë dhe shqiptarë, ku angazhohen: “të kombinojnë përpjekjet e tyre për çlirimin, pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë Etnike dhe të Kroacisë, si çështje të interesit vital të ndërsjelltë”.

Gjatë të njëjtës periudhë, Mbreti Leka ishte bashkëthemelues dhe anëtar i Konferencës Ndërkombëtare të Rezistencave në Vendet e Pushtuara (CIRPO). Edhe kjo organizatë me qendër në Francë ishte mjaft aktive në përpjekjet për çlirimin e vendeve të Evropës Lindore nga komunizmi dhe në lobing në favor të lirisë dhe demokracisë, në veçanti përsa u përket shqiptarëve, pasi përpjekjet shkonin drejt njohjes së bashkimit tonë kombëtar në një Shqipëri Etnike, të lirë dhe demokratike.

Më 06.03.1989, për hir të interesave madhore të popullit dhe kombit shqiptar, Mbreti Leka i dërgoi një telegram sekret z. Ramiz Alia, ku shprehet se përkeqësimi i situatës në Kosovë rrjedh nga ambiciet ekspansioniste serbe.

Mbreti Leka i tha Ramiz Alisë, se nëse nuk ndërmerren aksione nga të gjitha palët për të mbështetur kërkesat legjitime dhe për të gjetur një zgjidhje -që në rastin e shqiptarëve është bashkimi nën një qeveri të lirë dhe demokratike që do të përfaqësonte aspiratat e vërteta të kombit- situata në Ballkan dhe veçanërisht në shtetin artificial jogusllav, do të destabilizohej krejtësisht, duke shkaktuar luftra civile dhe derdhje gjaku të panevojshëm, që do të rezultojë në ndërhyrje të huaja të padëshirueshme. Natyrisht, kjo letër ngeli pa përgjigje. Më 05.04.1989 u organizua në Bruksel një ceremoni e madhe për kremtimin e 50-vjetorit të ditëlindjes së Mbretit Leka, ku vetë ai ndodhej në Paris dhe do të merrte pjesë në festimet.

Por, mëngjesin e asaj dite, ambasada belge në Paris njoftoi Mbretin se do t’i lejohej hyrja në territorin belg atë mbrëmje, me kusht që ai të mos shprehej për situatën në Kosovë. Natyrisht Mbreti refuzoi këtë propozim dhe qëndroi në Paris. Në përgjigje të ankesës drejtuar qeverisë belge, më 06.04.1989 nga komuniteti shqiptar i Belgjikës, ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, z. Leo Tindemans, shkruajti në letrën e tij se “qëndrimet dhe deklaratat që Mbreti Leka pritej që të bënte nga Brukseli në drejtim të Jugosllavisë do të kishin krijuar dyshime për paanshmërinë e Belgjikës, përsa u përket rivaliteteve kombëtare në Ballkan”.

Më 01.05.1989, nga Londra, Mbreti Leka njoftoi në mënyrë sekrete se atë ditë kishte patur takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit e disa vendeve të BE-së (CEE) dhe të botës islame dhe se kishte marrë garancitë se do të bëheshin presione qeverisë jugosllave për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare.

 Po atë ditë, qeveritë britanike, turke dhe saudite, u shprehën protestat e tyre të fuqishme ambasadorëve të Jugosllavisë në vendet e tyre respektive. Me anë të një telegrami të datës 23.07.1989, Mbreti Leka protestoi pranë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, z Perez de Cuellar, kundër manifestimit të Millosheviçit me 1 milion serbë në Kosovë dhe i drejtoi njëkohësisht një telegram Presidentit të Jugosllavisë, Janez Drnovsek, ku e paralajmëroi se: “Përderisa shqiptarët që jetojnë në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi të mos gëzojnë lirinë, vetë Jugosllavia do të vuajë pasoja të rënda”. Në mesazhin e tij për 28.11.1989, Mbreti Leka i bëri thirrje popullit shqiptar që të “ngrihet kundër regjimit tiranik dhe ateist, i cili për një kohë kaq të gjatë ka keqsundu atdheun tonë të dashtun”. Ai shtoi: “Besoni në Perëndi dhe në njëri-tjetrin dhe mos i lejoni ideologjitë apo interesat e huaja që të pengojnë përpjekjet tuaja”. Në këtë mesazh, ai u angazhua sërish për një referendum, ku populli të zgjedhë lirisht formën e qeverisë që më së miri i përshtatet aspiratave të tij. Duke marrë parasysh zhvillimet politike në dhjetor 1989, Mbreti Leka i drejtoi një apel popullit shqiptar për t’u bashkuar dhe për ta rrëzuar regjimin ilegjitim komunist.

Mbreti Leka ishte gjithashtu i pari që përgëzoi z. Milan Kucan për rezistencën sllovene kundër ekspansionit serb dhe për mbështetjen që populli slloven po u jepte kërkesave legjitime të popullit shqiptar në trojet etnike. Më 02.02.1990, gjithashtu Mbreti Leka falenderoi dhe nxiti popujt miq sllovenë, kroatë dhe boshnjakë për solidaritetin e tyre, në drejtim të kërkesave legjitime të shqiptarëve për liri në trojet etnike në Jugosllavinë artificiale.

Gjatë një vizite zyrtare të Mbretit Leka në SHBA, në mars-prill 1990, çuditërisht një projekt-rezolutë e paraqitur në Kongresin Amerikan nga Civil League, e kryesuar nga Josef DioGuardi, shënonte: “SHBA-të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”. Falë lobingut të Mbretit Leka dhe ndërhyjes së vet energjike, kjo rezolutë gjoja për Kosovën, nuk u miratua nga Senati dhe Kongresi Amerikan. Zhvillimet e viteve ‘90, si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë e vendet e tjera etnike shqiptare, e shtynë Mbretin Leka të intensifikojë përpjekjet për lobing, udhëtimet, protestat e deklaratat, duke bërë gjithnjë thirrje në mbrojtje të interesave kombëtare të popullit shqiptar dhe për bashkimin e shqiptarëve nën një Shipëri Etnike.

Më 04.07.1990, Mbreti lëshoi një komunikatë për shtyp, ku rikujtoi se shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet etnike shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni, po vuajnë dhunën e egër nga hegjemonia serbe dhe ku u bëri thirrje fuqive të interesuara të mos pengojnë përpjekjet legjitime të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci. Po më 04.07.1990, me rastin e eksodit të popullit shqiptar në ambasadat e huaja në Tiranë, Mbreti Leka i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ku protestoi kundër Kinës, Kubës dhe Bullgarisë, që shkelën konventat e azilit duke ua rikthyer refugjatët autoriteteve shqiptare.

Më 06.07.1990, Mbreti Leka i drejtoi një thirrje popullit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve etnikë, që të veprojnë si një trup. Që edhe një herë populli shqiptar të rifitojë lirinë e vërtetë dhe të mund të jetojë Zot e kryenaltë në trojet e veta stërgjyshore.

Me 02.02.1991, në prag të zgjedhjeve të 31.03.1991 në Shqipëri, Mbreti Leka u bëri thirrje ndjenjave të atdhetarizmit dhe ftoi: “Bashkohuni nacionalistë shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve etnikë t’atdheut tonë, për me përmbys dhe flakë jashtë trojeve iliro-dardane regjimin antishqiptar sllavo-komunist, gjë që do të na mundësojë realizimin e aspiratave tona të shenjta kombëtare, për një Shqipni të lirë, Etnike dhe demokratike për të gjithë shqiptarët, me jetu të lirë, krenarë dhe Zot në trojet tona stërgjyshore”.

Më 14.08.1991, Mbreti Leka i dërgoi një telegram presidentit të Italisë, z. Francesco Cossiga, ku denoncoi marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë shqiptare, që lejon forcat detare italiane në ujërat shqiptare dhe i kërkoi atij që të mos zbatohet kjo marrëveshje.

Më 29.08.1991, Mbreti Leka i dërgoi një telegram presidentit të Francës, z. François Mitterand, ku i kërkoi që gjatë takimit të tij të parashikuar për ditët në vijim me Millosheviçin, të ngrihet çështja e Kosovës dhe respekti i të drejtave legjitime të shqiptarëve.

Mesazhi i Mbretit drejtuar popullit shqiptar me rastin e 28.11.1991 kishte në thelb shpresën, nevojën për qëndresë; lirinë dhe demokracinë, dhe çështjen e trojeve etnike shqiptare nën Jugosllavinë artificiale.

Më 29.04.1992, Mbreti Leka i dërgoi një telegram Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Butros Butros Galli, ku protestoi kundër krijimit të planifikuar të një Jugosllavie të re, që nuk do të merrte parasysh aspiratat legjitime të popullit shqiptar. Këtë qëndrim dhe të njëjtën protestë ia kishte shprehur edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Konferences Islamike në telegramin e tij, drejtuar më 12.04.1992.

Më 08.09.1992, Mbreti Leka i dërgoi një letër zyrtare Archipeshkut Vasolomeos I, Patriarkat i Stambollit, ku protestoi kundër emërimit të një Peshkopi të huaj për kishën ortodokse shqiptare, pasi kjo gjë ishte një përpjekje për të sabotuar Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.

Në fillim të viteve ‘90, Mbreti Leka ishte po ashtu mjaft aktiv në politikën shqiptare. Pavarësisht se kur u kthye në Tiranë për herë të parë, më 21.11.1993, qeveria e atëhershme nuk e lejoi të qëndrojë më shumë se 24 orë duke përdorë një pretekst banal dhe të pabazë por, Mbreti Leka nuk rreshti së vepruari.

Konstrukti i tij ishte i tillë saqë çdo vështirësi i jepte force dhe kurajo për të vazhduar përpjekjet e tij, se e dinte që ishin përpjekje të drejta dhe në interes të popullit dhe kombit të tij. Në vitin 1994, Mbreti Leka organizoi takime të shpeshta në Londër, Paris, Aman dhe Johanesburg me politikanë shqiptarë dhe personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore shqiptare. Kur filloi greva e përgjithshme në Shqipëri, krerët e disa institucioneve të vendit u detyruan të kërcënojnë, se Shqipëria qeveriset nga Tirana dhe jo nga Johanesburgu.

Më 14.04.1994, Mbreti Leka i dërgoi një telegram kryeministrit grek, z. Andreas Papandreu dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Butros Butros Galli, ku shprehu protestat më të forta kundër shkeljes të tokave shqiptare nga trupat ushtarake greke. Në mesazhin e tij drejtuar popullit shqiptar me rastin e 28.11.1994, Mbreti Leka i kërkoi popullit që të “njohë mirë miqtë dhe armiqtë, aleatët natyralë dhe ata interesaxhinj, si dhe neokomunistët kameleonë”. Mesazhet e Mbretit bëheshin nga viti në vit edhe më politike, por gjithmonë çështja kombëtare, bashkimi i popullit dhe Shqipëria Etnike ishin në thelb të mendimit të tij.

Në vitin 1997, Mbreti u rikthye në Shqipëri, ku situata ishte në prag të një lufte civile. Me të mbërritur në Rinas, mesazhi i tij për popullin ishte: “Paqe, Bashkim, Vëllazërim”. Një referendum u zhvillua më 29.06.1997 për formën e regjimit. Sipas të gjitha rezultateve paraprake, Monarkia fitoi, por rezultati u manipulua. Mbreti u largua nga Shqipëria më 12.04.1997 dhe një vit më vonë, u nënshkrua një marrëveshje me të gjitha forcat politike të djathta, duke përfshirë edhe Partinë Demokratike, ku u denoncua manipulimi i referendumit dhe u shpreh angazhimi për organizimin në të ardhmen i një referendumi të ri për formën e regjimit. Më 10.03.1998, Mbreti Leka i dërgoi një telegram Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Kofi Anan, ku:

Me 11.06.1998, Mbreti Leka u dërgoi një Memorandum të ri për Kosovën të gjitha kancelarive perëndimore, ku kërkoi që armëpushimi t’i imponohet Beogradit, ku deklaroi se statusi i autonomisë për Kosovën nuk mund të jetë më në axhendën e bisedimeve dhe që e drejta e vetëvendosjes për popullin shqiptar të Kosovës të vihet në veprim.

Më 13.08.1998, Mbreti Leka i dërgoi një letër private presidentit turk, z. Sulejman Demirel, ku i propozoi një nismë ballkanike për Kosovën, nën kuadrin e së cilës Turqia duhet të luante një rol të rëndësishëm. Më 23.11.1998, Mbreti Leka i dërgoi një letër private autorit të kësaj kumtese, lidhur me kontaktet me komandën e rezistencës tonë në Kosovë. Mesazhi i Mbretit drejtuar popullit shqiptar me rastin e ditës së Pavarësisë, më 28.11.1998, u përqëndrua rreth qeverisjes së Shqipërisë dhe situatës në Kosovë. Mbreti apeloi përsëri popullin shqiptar për t’u bashkuar “për fatet e kombit dhe shpëtimin e tij drejt një Shqipnie Etnike”.

Në mëngjesin e datës 05.02.1999, qeveria e Afrikës së Jugut informoi Mbretin Leka se prej asaj dite nuk gëzonte më mbrojten diplomatike në atë vend. Pas këtij njoftimi, pak minuta më vonë, Mbreti Leka u arrestua nën pretekstin e mbajtes të armatimeve në rezidencen mbretërore. Siç u vërtetua më vonë, disa qarqe armike të kombit shqiptar kishin ndërhyrë te qeveria e Afrikës së Jugut për ta bllokuar Mbretin Leka atje.

Kështu, ai nuk do të mund të merrte pjesë as në ceremoninë e varrimit të mikut tij të vjetër, Mbretit Hysein të Jordanise me dt. 07.02.1999 dhe as në punimet e Konferencës së Rambujesë që hapi punimet të nesërmen e arrestimit të Mbretit. Natyrisht, prezenca e Mbretit Leka në Jordani dhe Rambuje do t’i kishte dhënë mundësinë atij që të bënte lobingun e nevojshëm dhe të siguronte përkrahjen e duhur për realizimin e aspiratës së popullit shqiptar, për një bashkim nën një Shqipëri Etnike. Pas ndërhyrjes energjike të disa kryetarëve shtetesh, si Presidenti Francez Jacques Chirac, të gjitha akuzat e qeverisë së Afrikës së Jugut ranë më 29.11.1999. Më 18.03.1999, nëpërmjet një komunikate të Oborrit Mbretëror Shqiptar, Mbreti u shpreh se “mbështet aspiratat legjitime të popullit të Kosovës në bisedimet e Rambujesë, por paralajmëroi se janë disa pika të rrezikshme për kombin shqiptar në atë marrëveshje, që u lënë vend interpretimeve të ndryshme”. Në atë komunikatë, thuhej se “Shqipëri Etnike” nuk do të thotë “deklarim lufte”.

Më 17.05.1999, Mbreti i dërgoi një letër private Sekretarit të Përgjthshëm të Natos, z. Javier Solana, ku denoncoi spastrimin etnik në Kosovë dhe u shpreh se e drejta e vetëvendosjes është e vetmja zgjidhje. Në një intervistë botuar në gazetën franceze “Le Monde”, Mbreti deklaroi se problemi i Kosovës ka vetëm një zgjidhje dhe që është “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”. Pas arestimit të Mbretit në Afrikë të Jugut, në shkurt 1999, qëndrimi i tij atje ishte bërë i pamundur, ndaj duhej gjetur një vend mik, ku të qëndronte deri në kthimin përfundimtar në atdhe. Me anë të një letre private dërguar autorit të kësaj kumtese, më 09.04.2001, Mbreti Leka foli lidhur me rivendosjen në Kosovë, sipas propozimit të disa miqve nga Kosova. Në vitin 2002, më 27 qershor, sipas një ftese të Parlamentit shqiptar, Mbreti Leka u kthye përfundimisht në Shqipëri, bashkë me anëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore.

******

Që nga momenti kur u betua, Mbreti Leka i qëndroi besnik fjalës së tij për të bërë çdo sacrificë për popullin e kombin, për lirinë e demokracinë, për bashkimin e krijimin e Shqipërisë Etnike. Ai nuk kurseu asgje për çështjen tonë kombëtare dhe sidomos për të realizuar pavarësinë e Kosovës, që e konsideronte si hap të parë drejt bashkimit nën një Shqipëri Etnike.

Mbreti Leka udhëtoi pa rreshtur nëpër botë gjatë gjithë jetës së tij, në kërkim të mbështetjes për kauzën tonë kombëtare. Kishte miq të ngushtë në mesin e kryetarëve të shteteve dhe pushtetarëve në botën arabe, në BE, në SHBA, etj, dhe i vuri të gjithë ata në dispozicion të interesave të popullit dhe kombit shqiptar. Dha me dhjetra intervista në vit në mediat e shkruara dhe vizive në mbarë botën për të ndërgjegjësuar opinionin publik ndërkombëtar për vuajtjet e popullit shqiptar.

Kishtë një vizion të qëndrueshëm dhe të palëkundur përsa i përket të ardhmes së popullit dhe kombit shqiptar. Ai diti t’i japë një sens jetës së tij, duke e konsideruar vetveten si një “ushtar të atdheut”. Ashtu jetoi, pa e shijuar plotësisht realizimin e vullnetit të popullit, por të paktën pati meritën që la një model reference për popullin shqiptar, për patriotizmin, nacionalizmin dhe atdhedashurinë.

Sulejman Gjana, MR

Shënim : të gjitha informacionet që u përdorën në përgatitjen e kësaj kumtese gjenden ne arkivin personal e privat të autorit

 (kontakt : pllsg@hotmail.com)