Royal Collections

KOLEKSIONI MBRETËROR ADAMIDI FRASHËRI

Koleksioni mbretëror Adamidi Frashëri është krijuar gjatë një qindvjeçari, midis 1880 dhe 1970. Si fillim, Dr Gaqi ose Gjergj Adamidi bej Frashëri (1856-1939), patriot dhe diplomat shqiptar me banim në Egjipt dhe Zvicër, mblodhi objekte të trashëguara nga familja e tij dhe e së shoqes, Helena Marko Frashëri, si kostume të vjetra popullore, ikona dhe armë shqiptare të shekullit XVIII. Anëtar i Institutit egjiptian të Kajros, ai bleu dhe ruajti në fondin e tij edhe statueta të vjetra sumeriane, egjiptiane dhe greke.

Royal Foundation's coat of Arms

Si besimtar ortodoks Dr Adamidi bej Frashëri i kushtoi gjithashtu një rëndësi të veçantë dëshmive të hershme të kristianizmit të mijëvjeçarit të parë, duke mbledhur manuskrite, ikona, enluminura të para dhe pas Skizmës së madhe të 1054. Qëllimi i këtij koleksioni ishte krijimi i një fondi « eklektik » që do të ilustronte historinë dhe kulturën shqiptare. Për këtë arsye, familja Adamidi Frashëri bleu edhe objekte porcelani, tablo apo skica nga autorë të huaj që trajtonin tematika shqiptare.

Në vitet 1920-1930, koleksioni do të zmadhohej nga djali i vetëm i Dr Gaqi Adamidi Frashërit, Paul Adamidi bej Frashëri (1904-1987), i cili ishte i apasionuar pas artit modern dhe bleu një sasi të konsiderueshme tablosh dhe vizatimesh të Pikasos, Braque, Fernand Léger, Juan Gris, Juan Miro etj., nga piktori dhe koleksionisti Gottlieb Reber. Ortak i koleksionistit të famshëm greko-egjiptian, Peter Zervudacchi, me të cilin ndanin një galeri të madhe arti në Vevey të Zvicrës, Paul Adamidi Frashëri dhuroi një pjesë të fondit sumer dhe egjiptian Ashmolean Museum-it të Oksfordit. Në mars 1971, ai hapi një ekspozitë dhe shiti një pjesë të madhe të koleksionit të artit modern që dispononte, në Hôtel Drouot, qëndër e ankandeve botërore në Paris.

I emëruar çambelan i Familjes mbretërore shqiptare në Spanjë, Paul Adamidi bej Frashëri vendosi që pjesën e koleksionit të familjes së tij që përmblidhte objekte dhe kujtime të së kaluarës shqiptare, t’ja lidhte me testament Princit trashëgimtar Leka, në kuadrin e një Fondacioni mbretëror shqiptar i themeluar më 1984, nën patronazhin e Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe nën kujdesin e Kontit Jean d’Ogny, i cili i strehoi me shumë pasion për mëse 25 vjet në kështjellën e tij në Francën qëndrore. Paul Adamidi Frashëri kishte shprehur dëshirën që nëse Familja mbretërore shqiptare kthehej një ditë në atdhe, ajo ta sillte edhe koleksionin mbretëror në Shqipëri, në mënyrë që të njihej nga publiku dhe të nxiste dëshirën për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Biblioteka e Familjes Mbretërore

Libary

Biblioteka e Familjes Mbreterore ka të skeduara 14 mijë libra, të cilët përbëjnë koleksionin më të madh të kësaj Familjeje.
Në të gjenden libra të karakterit politik, shkencor, historik, si dhe një fond i pasur me letërsi artistike, sikundër romanet dhe librat me poezi.
Në fondin e librave të kësaj biblioteke dominojnë dukshëm librat në gjuhën angleze, por në masë të konsiderueshme gjenden edhe libra në gjuhët: shqip, frëngjisht, spanjisht, italisht, etj.. 


Libri më me vlerë i këtij koleksioni me vlera të jashtëzakonshme, është dorëshkrimi origjinal i librit me kujtime në trajtë kronike dhe kronologjike i kolonel Hysen Selmanit, mbi jetën dhe aktivitetin e Mbretit Zog I.

Koleksioni i armëve i Familjes Mbretërore

Ky koleksion përmban eksponate me vlera të jashtëzakonshme, të prodhuara në kohë dhe vende me shtrirje kohore e gjeografike të përbotshme, qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
Mjaft nga armët e këtij koleksioni janë prodhuar prej guri të latuar të Epokës së Gurit, por janë të shumta edhe armët e zjarrit, të prodhuara qysh në kohët e para pas shpikjes dhe prodhimit masiv të barutit dhe deri në ditët e sotme.

Shtrirja gjeografike e vendorigjinës së prodhimit dhe përdorimit të tyre, përfshin të gjitha kontinentet e planetit tonë, si: Afrika; Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut; Azia; Europa; Australia.

Vlerën më të madhe ndër armët e këtij koleksioni e përfaqësojnë çifti i shpatave të Tajlandës, sepse sot në botë ekzistojnë vetëm 3 ekzemplarë të tillë, unikalë në llojin e tyre.