Historia e familjes

Dokumentacioni arkivor dëshmon se, megjithëse pas vdekjes së Skënderbeut kështjella e Krujës ra në duart e pushtuesve osmanë, Principata e Matit, sikurse edhe Mirdita, nuk u dorëzuan kurrë, madhje edhe pas pushtimit të të gjithë Shqipërisë së asaj kohe. Shumë herë matjanët dhe mirditorët u përgjakën në luftrat e parreshtura me pushtuesit, por njëkohësisht po aq herë triumfuan mbi armikun, duke e thyer dhe zbrapsur andej nga kishin ardhur.

Zemra e krahinës së Matit ka qenë Burgajeti, në lartësinë më dominuese ne të cilen ishte ndërtuar kështjella e Familjes Zogolli, ku u preh përjetësisht shpirti i motrës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mamica Kastriotit - Zogollit, sipas gojedheneve.

 Rrebeshe të panumërta të tërbimit osman u derdhën mbi këtë fortesë të pamposhtur, ngulitur thellë në kodrën e Burgajetit. Ajo u dogj dy herë radhazi nga hordhitë serbe, për të provuar rrënimin përfundimtar pas Luftës Dytë Botërore, teksa regjimi komunist e shkatërroi plotësisht dhe i shkuli deri edhe themelet. Por megjithëse diktatura arriti ta zhbëjë fizikisht kështjellën legjendare të Zogollëve, nuk mundi të zhbëjë gurët e saj, të cilët matjanët i morën dhe i përdorën për të ndërtuar kinemanë dhe trotuaret e qytetit të Burrelit, qytet ky i krijuar dhe i ndërtuar si qendër administrative nga Mbreti Zog gjatë kohës së Mbretërisë.

Treguar nga Haxhi Rifa, fisi i Kolajve, në moshën 98 vjeçare (Burrel) (1987) Diku rreth 300 vjet më parë, kur Mark Kola zbret në Burrel, kërkon një mareveshje me derën e Zogollëve pas një kërcënimi nga familja e Allamanëve nga Kurdaria.

Sipas treguesit, dy burra nga fisi i Kolajve së bashku me pesë burra nga fisi I Zogollëve ndeshen me 13 burra nga fisi i Allamanëve dhe në përleshje mbetet i vrarë Allalman Aga. Nga krahu i Zogollë - Kolajte nuk pati humbje. Si rezultat i kësaj zona rreth Burrelit ndahet në shtatë pjesë, ku dy i takuan Kolajve dhe pesë Zogollëve.

 Thuhet se nga fundi i shekullit XV familja Zogolli zbriti nga Veriu i vendit në krahinën e Matit, (trevë kjo tejet e fortifikuar nga vetë natyra), dhe më së fundmi u vendos në Burgajet, ku dhe pati fillesat  Dinastia Zogolli. Prejardhja e fisit Zogolli është e veshur me mister dhe ka qenë subjekt i mjaft gojëdhënave, të cilat kanë kaluar brez pas brezi. Një nga versionet më të sakta dhe që është i përhapur edhe sot e kësaj dite në Mat, është se fisi Zogolli ka qenë një nga tre fiset më të mëdha në Kosovë dhe ka qenë vendosur në zonën e Rrafshit të Dukagjinit.

Zogu i Madh - nje lider i lavdishëm

Pas pushtimit të Kosovës nga osmanllinjtë, fisi Zogolli u detyrua të largohej dhe të vendosej në Mat. Lufta kundër osmanllinjve i bashkoi Zogollët me Kastriotët dhe ata lidhën aleancë lufte kundër pushtuesve.

Zogu i Madh pas vdekjes së Skënderbeut u tërhoq nëpër male, në qytetin Varosh të Matit, në Burija të Lurës dhe në qytetin e Bulqizës, duke i sulmuar vazhdimisht pushtuesit dhe duke i raskapitur me luftime të pandërprera, të cilat mundësuan që krahina e Matit të mbetej pothuajse autonome. Asokohe, me të drejtë osmanllinjtë e etiketuan Zogun e Madh si “Furia e Zotit”.

Paskëtaj rezidenca e familjes u zhvendos për mjaft kohë në Varosh Vike të Matit, ku edhe sot gjenden rrënojat dhe gjurmët e mureve të shtëpive dhe të qytetit. Pas shumë luftimesh në treva të tjera Zogu i Madh më në fund sulmoi garnizonin turk të Burgajetit, ku dogji dhe shkatërroi Ballaban Pashën me enturazhin e tij dhe vrau guvernatorin otoman, Gazi Begun (ngaqë midis të tjerash guvernatori kishte kërkuar që familjet e zonës t’ia dërgonin vajzat në saraje, si robina).

Pas këtij suksesi, Zogu i Madh rimori pushtetin dhe mblodhi popullin e Matit, të cilit i kërkoi marrjen e një qëndrimi të përbashkët, për luftë kundër pushtuesit. Matjanët e pranuan thirrjen për luftë, pasi ishin betuar ta shkatërronin sundimin e Ballaban Pashës, kujtimi i të cilit u ndërmendte tradhtarin renegat me origjinë nga Mati, i cili nën flamurin e pushtuesit luftoi kundër Skënderbeut dhe bashkatdhetarëve, duke djegur atdheun për llogari të pushtuesit. Në përmbushje të këtij zotimi mbarëpopullor, Ballaban Pasha më në fund u vra në luftimet e fundit që u zhvilluan në Ledhet e Krujës, dhe u varros në Petrelë të Tiranës, ku edhe sot gjenden gjurmët e varrit të tij.

Paskëtaj Sulltani jashtë dëshirës u detyrua ta njohë Zogun e Madh si sundimtar të Matit, por megjithëse osmanllinjtë ia bënë atij të ditur vendimin e Sulltanit, Zogu i Madh i vazhdoi luftimet me tërbim, duke arritur fitore të njëpasnjëshme. Trimëria dhe zotësia e Zogut të Madh mundësuan që njëzëri matjanët dhe familjet bujare ta njohin për Prijës të Matit në luftërat për liri, në administrimin dhe jetësimin e autonomisë.

Pas kësaj Mati kurrë nuk u shkel nga këmba e ushtrive turke dhe deri në fund të sundimit pese shekullor mbeti nën administrimin e dinastisë Zogolli, me autonomi të plotë, të njohur zyrtarisht nga Porta e Lartë. Ndërkohë Zogu i Madh e shtriu influencën edhe në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë e Mesme, duke mbetur tmerri i otomanëve dhe duke qeverisur sipas ligjeve kanunore, traditave dhe zakoneve të vendit.

Por shumë shpejt në qytetin e Peladhisë pranë Bulqizës nga gryka vërshuan hordhitë otomane, çka u pasua me luftime shumë të ashpra, teksa forcat shqiptare komandoheshin nga Muzhak Topia. Por teksa Zogu i Madh ishte duke luftuar në Fushë-Çidhnë të Dibrës, u njoftua se Muzhaku u vra dhe se forcat shqiptare u tërhoqën në Qafë-Buall. Zogu u nis menjëherë për në Qafë-Buall dhe Klos, duke lënë si zëvendës në Fushë-Çidhnë djalin e tij, Ymer Zogun dhe pasi organizoi forcat, sulmoi nga krahët dhe pas shpine forcat otomane, nga drejtimet e Malit Plakth dhe nga Dhoksi. Trupat otomane u tërhoqën në panic nëpër grykat e qytetit Peladhisë, por pas 9 ditësh u rikthyen të përforcuar fuqimisht dhe pas luftimesh tejet të ashpra u vra Zogu i Madh bashkë me shumë komandantë të tjerë të shquar.

Ymer Pashë Zog

Pas vdekjes së Zogut të Madh, trashëgimtar i ligjshëm i dinastisë Zogolli dhe i pushtetit që ajo ndërtoi dhe drejtoi, mbeti djali i tij Ymer Pashë Zogu, i cili vazhdoi të ruajë e konsolidojë më së miri traditat e familjes dhe pushtetin e saj legjitim, instaluar me meritë në luftërat e pandërprera kundër pushtuesve dhe në administrimin me ndershmëri dhe përkushtim në favor të popullit, i cili e mbështeti pavarësisht sakrificave që kërkonte përballja madhore me fuqinë më të madhe ushtarake të kohës.

Ymer Zogu. me urtësinë dhe maturinë që e karakterizonte tërhoqi vëmendjen e shumë fiseve dhe parisë së vendit, që panë tek ai pasardhësin dhe prijësin e denjë, që në në rrugën e të atit i vijoi pa ndërprerje luftërat për liri dhe përpjekjet për ruajtjen e autonomisë së fituar me gjak. Ai kishte marrëdhënie shumë të mira me shtëpinë e Kapedan Gjon Markut, si dhe me fiset e Dukagjinit, të cilët ruanin dhe respektonin të njëjtat tradita, doke e zakone dhe kishin të njëjtin përkushtim dhe mbivlerësim për lirinë dhe autonominë që gëzonin në trevat e tyre, të arritura me gjak dhe sakrifica të panumërta.

Ymer Pashë Zogu vdiq në Mat dhe u varros në Zogaj të Lisit. Ai mbeti në kujtesën e popullit si simbol dhe personazh i trashëgimisë gojore dhe folkut, saqë edhe sot e kësaj dite në Mat është tejet e përhapur shprehja “Të vrafsha me pushkën e Ymer Agës”. Gjithashtu deri në fund të jetës, në kujtesën e matjanëve Ymer Pashë Zogu mbetet si një lider i shquar ushtarak, si organizator dhe administrator shumë i aftë, i dashur dhe i përkushtuar.

Zogu i Vogël

Ymer Pashë Zogu pas vdekjes la si trashëgimtar djalin e tij Zogun e Vogël, i cili në momentin që i vdiq babai ndodhej në luginat e Rrogozhinës dhe në Peqin, duke luftuar kundër pushtuesve osmanë. Menjëherë Zogu i Vogël u kthye në Mat dhe pasi mori në duar gjithë pushtetin e trashëguar, në përmbushje të detyrës dhe amaneteve të babait, iu përkushtua përmirësimit të gjendjes dhe zgjidhjes së problemeve emergjente.

Pasi vuri rregullin në administratën e vendit dhe në sektorët ushtarakë, angazhoi në krye të njësive të luftimit edhe dy djemtë e tij: Abdullah dhe Selman Zogu, të cilët ishin regjur ndër luftëra dhe ruanin marrëdhënie shumë të mira me fiset, parinë dhe luftëtarët. Paskëtaj Zogu i Vogël u kthye sërish në Rrogozhinë për të vendosur rendin dhe regjimin administrativ.

Pasi emëroi si komandant të trupave djalin e Karl Muzhak Topisë, Zogu i Vogël vendosi të rikthehej në Mat, me synimin e mbajtjes nën kontroll të kryqendrës administrative, çka për të ishte prioritet i vazhdueshëm. Por pikërisht kur po bëhej gati të nisej për në Mat, lajmërohet se trupat e reja otomane ishin nisur dhe po marshonin nëpër grykën e Shkumbinit, në drejtim të Peqinit.

Ky lajm e detyroi Zogun e Vogël të ndalet dhe të riorganizojë trupat ushtarake dhe administratën. Pas katër ditësh dy ushtritë u ndeshën në lartësinë e Peqinit, ku luftimet u zhvilluan shumë të përgjakshme nga të dyja palët. Në këtë betejë, pas dymbëdhjetë ditë luftimesh të ashpra, Zogu i Vogël mbeti i vrarë në luftë për liri në vitin 1614. Trupi i tij u varros pranë bregut të Lanës, (dikur Lagja e Pishës), në Tiranë.

Abdullah Pashë Zogolli

 Djemtë e Zogut të Vogël: Abdullah dhe Selman Zogu, vazhduan të mbrojnë autonominë dhe ta qeverisin vendin me ligje dhe një administratë të drejtë e të përkushtuar. Por sulmet e armikut dhe luftimet e detyrueshme të kësaj periudhe ishin të pandalshme.

Abdullah Pashë Zogu në përpjekje për të krijuar aleanca ushtarake e strategjike kundër osmanllinjve, shkoi deri në Rusi dhe u takua edhe me Carin dhe komandantët më të lartë ushtarakë, të cilëve u kërkoi ndihmë, por pa rezultat. Ndërkohë sulmet e armikut vazhdonin dhe pikërisht në njërën nga betejat që u zhvilluan në grykën e Drinit të Bardhë, në Çidhën të Dibrës, Abdullah Zogu u vra. Pas 6 muajsh, në një tjetër betejë të ashpër në mbrojtje të Qafës së Bullit u vra edhe vëllai i tij më i vogël, Selman Zogu, pas të cilit pushteti ra në duart e djalit të Abdullah Zogut, Ahmed Zogut.

Këto luftëra ishin rrebeshet nëpër të cilat u kalitën dhe njohën lavdinë e pushtetit dhe të kontributeve atdhetare katër breza pinjollësh të shquar të derës së Zogollëve, deri në vrasjen e Abdullah Pashë Zogut në vitin 1621. Breza këto që mbetën shembull atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve.

Ahmet Pashë Zogolli:

Ahmet Pashë Zogu e qeverisi vendin me urtësi, me ndershmëri dhe duke ruajtur e respektuar të gjitha traditat e familjes, doket e vendit dhe ligjet dhe rregullat kanunore të Kanuneve të Lekë Dukagjinit dhe atyre të Skënderbeut. U vra ne Ohrid ne 1633, nga Osmanet, te cilet ia prene koken.

Mahmut Pashë Zogolli:

Ahmed Pashë Zogu la si trashëgimtar Mahmut Pashë Zogun. Ky pinjoll i denjë i dinastisë Zogolli, deri në fund të jetës qeverisi me drejtësi dhe dinjitet. Gjatë periudhës së qeverisjes së tij, por edhe bazuar mbi traditën e shkëlqyer dhe famën në rritje të Zogollëve deri përtej kufijve administrative të Shqipërisë së asaj kohe, Mahmut Pasha krijoi lidhje miqësore dhe diplomatike me qarqe në Stamboll dhe në mbarë Europën, çka përmirësoi marrëdhëniet midis Pashallëkut të tij dhe Portës së Lartë.

Kjo periudhë detante ishte e domosdoshme për rimëkëmbjen e vendit dhe konsolidimin politiko-diplomatik të kësaj njësie diplomatike dhe të Dinastisë Zogolli që e administronte atë.

Xhelal Pashë Zogolli

xhelal Pasha Zogu

Xhelal Pashë Zogu, ky burrë shumë i kulturuar, i urtë dhe guximtar, pasi u këshillua edhe me patriotë e miq të shumtë shqiptarë, si Hoxhe Tahsimin, Tahib Effendi Shkodranian, Siet Bene Toptanit, Naum Viqilharxhin dhe si ndihmes per te shkruajtur kete peticion moren Ismail Qemalin (kryeredaktorin e gazetes Zaman). Te gjithe u mblodhen nen kryesine e Xhelal Pashes dhe ia dorzuan peticionin Ali Pashes, qe ky i fundit t'ia paraqiste Sultanit duke e shoqeruar me arsyet shtetrore, qe lypinin formimin e nje Shqiperia te madhe dhe te forte me ane te arsimet.

Meqenëse kërkesat e Peticionit të Xhelal Pashë Zogut u konsideruan si ekstremiste, secesioniste dhe separatiste në raport me Perandorinë Osmane, ai fitoi famë të madhe, sidomos në Europë dhe u konsiderua prej saj si prekursori i Lëvizjes shqiptare për autonomi, pavarësi dhe shkëputje nga Perandoria trekontinentale, çka konsiderohej si dobësim i krahut ballkanik jugperëndimor të saj.

Sulltani fillimisht e pranoi peticionin e Xhelal Pashë Zogut  duke i akorduar shqiptarëve 2700 lira ari turke, por me pas ndroi mendimin, pasi e pa qe kjo do te ishte ne te mire te gjuhes shqipe.

 Nga ane tjeter, per te larguar Xhelal Pasha nga Stambolli ai nzorri urdhrin per ta derguar ate Vali ne Bitlis, por nje dite para se te nisej per ne detyren e re, Xhelal Pasha ndroi jete pa prit e pa kujtuar.  

Gjate jetes se tij Xhelal Pashë Zogu kishte marrëdhënie shumë të mira me Austrinë, pasi perandoria austro–hungareze interesohej në mënyrë të veçantë për Shqipërinë dhe ndiqte politikën e saj të mbrojtjes së komunitetit Katolik shqiptar.  

Varri i tij edhe sot e kësaj dite ndodhet në “Haxhi Badem Uskunda” të Stambollit. Xhelal Pasha për shumë kohë kish kryer funksionin e ambasadorit të Turqisë në Moskë dhe në Vjenë, dhe çmohej shumë për aftësitë e rralla si diplimat i shkëlqyer dhe si atdhetar i paepur, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt.

Riza Bej Zogolli

Riza Bey Zogolli

Djali i pare i Xhelal Pashë Zogut, Riza Zogu, ishte një personalitet i shquar dhe shumë i edukuar. si para se të organizohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku u zgjodh me meritë Sekretar i saj, ashtu edhe më pas, Riza Zogu ishte dhe mbeti një atdhetar i flaktë për të drejtat e popullit shqiptar. Shtëpia e tij ishte gjithmonë e mbushur me atdhetarë dhe personalitete të shquar vendas e të huaj, të ardhur nga vendet europiane, pasi ata e vlerësonin shume mendimin dhe kontributin e tij dhe madje shumicën e veprimtarive dhe përgatitjeve për lëvizje në favor të autonomisë dhe pavarësisë bëhej në shtëpinë e tij dhe ideohej e financohej prej tij. Persa me siper ate e vrane bashke me te shoqen. 

 Xhemal Pashë Zogolli

Xhelal Pashë Zogu la pas si trashëgimtar legjitim Xhemal Pashë Zogun, babai i Mbretit Zog I. Xhemal Pasha, në vazhdën e paraardhësve, e qeverisi Matin me fisnikëri dhe shpirtmadhësinë karakteristike me të cilën ishte mbrujtur e që e kish trashëguar brez pas brezi nga paraardhësit mendjendritur të Familjes Zogolli.

Xhemal Pasha, përveç bujarisë së rrallë, karakterit burrëror dhe impenjimit për ruajtjen e dokeve dhe traditave më të mira familjare e të trevës së Matit kishte arritur të formonte një kulturë të gjerë politike dhe administrative, aqsa arriti t’i imponohej jo vetëm Matit, por dhe Dibrës dhe pikërisht për këto cilësi të veçanta matjanët dhe dibranët ushqenin për të një simpati dhe dashuri të skajshme.

Kujdesi i tij parësor ishte rritja dhe edukimi i djemve, por sidomos i djalit më të vogël Ahmetit, në mënyrën më të denjë për familjen e tij fisnike, si dhe brumosja e tyre me ndjenjat më të kulluara atdhetare. Asokohe Xhemal Pashë Zogu vazhdonte të ruante dhe konsolidonte traditën atdhetare të Familjes, duke përkrahur patriotët, dhe për këtë arsye shtëpia e tij ishte gjithmonë plot me miq dhe gëlonte si një fole e nacionalizmit. Ajo priste e përcillte jo vetëm atdhetarët shqiptarë, por edhe miq të huaj evropianë, që ishin të interesuar për pavarësinë dhe mëvetësinë e Shqipërisë.

Xhemal Pasha

Xhemal Pasha

Pothuajse çdo propagandë dhe përgatitje e aksioneve politike atdhetare bëhej në sarajet e Zogollëve në Burgajet të Matit. Xhemal Pashë Zogu, në vitin 1903 përgatiti së bashku me mjaft nacionalistë shqiptarë një kryengritje për pavarësinë e Shqipërisë, dhe fillimisht veproi e u lidh me parinë e Dibrës, e cila e pranoi me kënaqësi propozimin shpëtimtar për kryengritje kundër pushtuesve osmanë. Për këtë arsye, me anë të Hoxhë Voglit, Xhemal Pasha u mundua të siguronte bashkëpunimin e disa krerëve në Manastir dhe Kërçovë, si dhe atë të Mareshalit të Ushtrisë turke Rexhep Pashë Matit, komandant ky i Ushtrisë Osmane në Libi dhe njëkohësisht Vali i Tarabulluz-Garbit.

Si ndërlidhës me Rexhep Pashë Matin ishte Xhaferr Beg Breshtoni dhe gjithçka ishte organizuar në rregull dhe konform planit të kryengritjes, për të cilën pritej vetëm dita dhe ora e caktuar. Mareshali Rexhep Pashë Mati kishte kërkuar nga Porta e Lartë një autorizim për të zhvilluar një manovër detare dhe tokësore dhe më së fundi arriti të autorizohej për ta bërë këtë manovër. Asokohe ishte Xhafer beg Breshtani, i cili rrinte më së shumti në Burgajet, në shtëpinë e Xhemal Pashë Zogut dhe realizonte ndërlidhjem midis tij dhe Mareshalit Rexhep Pashë Mati në Libi.

Te gjithë nacionalistët që asokohe u vunë në dijeni për kryengritjen, ndodheshin në Stamboll, Turqi. Dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët nga Mirdita, Dukagjini, Shkodra, Elbasani, Korça, Tirana dhe vise të tjera kishin rënë dakord me organizimin dhe pjesëmarrjen në kryengritje. Pritej të caktohej vetëm afati i shpërthimit të saj nga ana e Rexhep Pashë Matit, me ç’rast ai do të zbarkonte në viset e Selanikut. Mareshali Rexhep Pashë Mati kishte bindjen se pas shpërthimit të kryengritjes dhe kalimit të Armatës së tij në anën e shqiptarëve nuk do të kishte ndonjë përleshje dhe konflikt ushtarak midis shqiptarëve dhe turqve, ngaqë ai mendonte se Qeveria dhe ushtria turke nuk ishin në gjendje të përballeshin dhe të përlesheshin ushtarakisht, pasi Armata e Rexhep Pashës ishte më e kompletuara ndër të gjitha armatat osmane. Rexhep Pasha ishte një ushtarak i shquar dhe me influencë në pjesën më të madhe të ushtrisë Osmane.

Kjo përgatitje në interes të Shqipërisë ishte hartuar në një mënyrë të përkryer dhe asnjëherë më parë nga shqiptarët nuk ishte bërë ndonjë organizim i tillë i kryengritjes. Por në momentin kur të gjitha përgatitjet po merrnin fund dhe plani po merrte formën përfundimtare të ekzekutimit, për fatin e keq të Shqipërisë u bë një gabim i madh dhe i pavullnetshëm, siç ishte ai i lajmërimit të qeverisë greke, me mendimin se edhe ajo do t’i ndihmonte shqiptarët në fitoren e kryengritjes së tyre. Ky, sikundër e pohoi edhe Xhafer bej Breshtani, (i cili ishte ndërlidhësi) ishte gabimi më i madh dhe tragjik, pasi kryengritja dështoi ngaqë qeveria greke kishte vënë në dijeni hollësisht qeverinë Osmane, për kryengritjen.

Në kundër-reagim Porta e Lartë mori masa të shpejta e të rrepta për zbulimin dhe eliminimin e personazheve drejtues që përgatitën këtë kryengritje. Zbulimi i kësaj kryengritjeje i demoralizoi në përgjithësi nacionalistët shqiptarë. Qeveria osmane i tërhoqi vëmendjen ashpërsisht Mareshalit Rexhep Pashë Matit dhe e urdhëroi të kthehej në Stamboll duke ndaluar rreptësisht edhe manovrën e parashikuar dhe miratuar. Rexhep Pasha nuk shkoi në Stamboll por u vendos në Libi, dhe menjëherë e filloi manovrën, sa kohë që kishte edhe përkrahjen e britanikëve. Fillimi i kësaj kryengritje ishte caktuar për në Qershor 1903, por pas zbulimit të saj Porta e Lartë filloi reprezalje të ashpra për ta shtypur me dhunë dhe gjak organizatën që përgatiti kryengritjen dhe filloi të ndiqte të gjithë nacionalistët pjesëmarrës si dhe celulat e organizatës.

Një pjesë e madhe e nacionalistëve u kapën dhe u internuan në vende të ndryshme të Perandorisë Otomane. Ky gabim foshnjor dhe i paqëllimtë shkaktoi humbjen e kauzës së madhe në interes të pavarësimit të Shqipërisë. Paskëtaj Sulltan Hamidi e ftoi enkas Xhemal Pashë Zogun në Stamboll, por ai refuzoi të shkonte si “cjapi tek kasapi”, duke nxjerrë si justifikim sëmundjen.

Gjithashtu Xhemal Pasha nuk dëshironte t’i zhgënjente nacionalistët, të siguronte për vete mëshirën e Sulltanit apo të braktiste nacionalistët që tashmë ishin vënë në një gjendje të vështirë pas zbulimit të kryengritjes, që synonte të detyronte Stambollin, sipas dokumenteve, për të pranuar parashtrimin e hapur dhe propozimet drejtuar posaçërisht Sulltan Hamidit, për njohjen dhe dhënien e autonomisë dhe më tej pavarësisë për Shqipërisë.

Në atë kohë gjendja e administratës osmane ishte tejet e rënduar dhe situata politike në tërësi ishte shumë e ndërlikuar. Madje në Maqedoni asokohe zhvillohej një propagandë antiturke, europeiste dhe proballkanike.

Vetëm Shqipëria kishte mbetur ende nën Perandorinë turke, por edhe shqiptarët tashmë kërkonin dhe ishin përgatitur për Autonominë, për ta thelluar dhe kurorëzuar më vonë me pavarësisnë përfundimtare nga Turqia. Xhemal Pashë Zogu, dukë marrë shkas nga sëmundja nuk shkoi në Stamboll, por të për ta pasur nën kontroll dhe për ta kushtëzuar në çdo lëvizje, turqit i kërkuan që të dërgonte pranë Portës së Lartë djalin e tij të vogël, Ahmetin “për të ndjekur studimet në Stamboll”, ndërkohë që Xhemal Pasha kishte vendosur ta dërgonte Ahmetin për studime në “Collegium Theresianum” në Vjenë të Austrisë, madje edhe ia kishte siguruar bursën dhe e kishte regjistruar atje.

Këmbëngulja e Sulltan Hamidit e detyroi më së fundmi Xhemal Pashë Zogun ta dërgonte Ahmet Zogun në Stamboll, pasi nuk donte të bëhej shkak për shpërbërjen përfundimtare të organizimit të fshehtë të lëvizjes kombëtare, si edhe për eleminimin e mëtejshëm të atdhetarëve shqiptarë. Xhemal Pasha së bashku me nacionalistët e tjerë, për asnjë moment nuk hoqi dorë nga planet për përgatitjen e kryengritjes dhe arritjen me imponim të autonomisë së Shqipërisë.

Brenda këtyre skemave të përpjekjeve të gjithanshme ishte edhe Mareshali Rexhep Pashë Mati, që vazhdonte të ushqente dhe mbështeste variantin e kryengritjes.

Por fatkeqësisht Xhemal Pashë Zogu thuhet se pësoi një ftohje të rëndë dhe vdiq në tetor të vitit 1911, (ndonëse dyshohet se e kanë helmuar) në një moshë tepër të re, vetëm 44 vjeçare. Në momentin kur vdiq në sarajet e tij ishin tubuar mbi 1000 nacionalistë e shumë miq të tjerë europianë.

Vdekja e parakohshme dhe e dyshimtë e Xhemal Pashë Zogut tronditi thellë nacionalistët shqiptarë si edhe miqtë e tij të huaj. Kjo humbje e madhe u vajtua nga mbarë Mati, Dibra, Mirdita dhe gjithë nacionalistët shqiptarë.

NENA MBRETERESHE SADIJE TOPTANI

The Queen Mother, Sadija

Nëna Mbretëreshë Sadije Zogu - Toptani, lindi në Tiranë në vitin 1876. Ajo ishte bijë e njërës nga familjet më të fuqishme të Shqipërisë Qendrore, Toptanët e Tiranës. U martua me Xhemal Pashë Zogun në vitin 1891 dhe nga kjo martesë i lindën 7 fëmijë. Mbreti i mëvonshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, ishte fëmija i dytë dhe lindi më 8 tetor të vitit 1895. Nëna Mbretëreshë Sadije vdiq në Durrës më 24 nëntor të vitit 1934. Ceremonia e varrimit në nderim të Saj u zhvillua më 26 nëntor 1934 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

U varros në vendin e quajtur Kodra e Gështenjës, në krah të djathtë të rrugës aktuale automobilistike Tiranë – Elbasan, (në jug të Pallatit Mbretëror). Për t’u prehur në një varrezë të veçantë që synohej të bëhej familjare, u ble tokë me një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë dhe mbi të u ndërtua një mausoleum që u projektua nga arkitekti i njohur Qemal Butka.

Dyert e këtij mauzoleumi u hapën më 30 dhjetor 1935, me pjesëmarrjen e Mbretit Zog I, motrave të Tij princesha, kryeministrit të Shqipërisë, Mehdi Frashëri, etj., dhe më pas trupi i të ndjerës Nënës Mbretëreshë u vendos për t’u prehur përjetësisht në këtë varr-mauzoleum madhështor. Por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu pasi Mauzoleumi u demtuar me shpërthim tritoli të vënë enkas më 17 nëntor 1944 nga forcat komuniste të të ashtuquajturës Brigada e Parë, bash ditën kur këto forca pushtuan qytetin e Tiranës. Pas këtij viti rrënojat e mauzoleumit kanë mbetur të paprekura, ndërsa varri i Mbretëreshës Sadije ekziston i pacënuar edhe sot e kësaj dite.

Princi Xhelal Bey Zogu 1881 – 1944 (Vellai I Mbretit Zogu)

Prince Xhelal Zogu, was the elder brother of King Zog

Prince Xhelal Zogu, was the elder brother of King Zog

I diplomuar ne drejtesi ne Universitetin Darusafaka të Stambollit, ai kishte shërbyer disa vjet si avokat i përgjithshëm para se të kthehej në Shqipëri, ku u zgjodh tre herë Anëtar i Parlamentit (në 1924 dhe 1928 të Dibrës dhe 1925-1928 i Kosovës).

Ai braktisi politikën pas shpalljes së Monarkisë. U bashkua me reformën agrare që bëri Mbreti Zog dhe dhuroi spontanisht një numër të madh tokash të veta. Ai ishte shumë popullor në zonën e Matit për bujarinë, mikpritjen që ishte e njohur nga të gjithë, por vecanerisht nga më të varferit .

Ai emigroi bashkë me Familjen Mbretërore në 1939 dhe u vendos në Stamboll, ku u ritakua me miqtë e vjetër të fakultetit si dhe me familjen e xhaxhait te tij Zia Pashe Zogolli, qe ishte vendosur në Ankara. Djali i Xhelalit, Skender Zogu, eshte krytari i senatit te Legalitetit. Xhelal vdiq më 26 shkurt 1944 dhe u varros ne varrezat e Ferikoy Mezarligi.

Tati Esad Murad Kryeziu, Prince of Kosova:

Prince Tati of Kosova

Bibliografia

1. Zogu the First king of the Albanians, By: Christo A.Dako 1937

2. Shenime historike nga jeta dhe Evepra e NMT Zog I Mbreti I Shqiptareve, By Kristo Dako

3. Nga notimet e Zogut I Mbreti I Shqiptareve By Hysen Selmani, Shtator 2008

4. 10 vjet Mbretni 1928-1938 1 Shtator 1938 Dr. Zoi Xoxa